Fatjon Cuka
07 Janar 2019•Përditësim: 08 Janar 2019
TIRANË (AA) - Studentët e universiteteve publike të Shqipërisë kanë rifilluar protestën e tyre sot, duke insistuar që kërkesat e tyre të zgjidhen nëpërmjet ndërhyrjes së Kuvendit të Shqipërisë për amendimin e ligjit për arsimin e lartë, raporton Anadolu Agency (AA).
Qindra studentë janë mbledhur për të protestuar para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë, me kërkesat kryesore të tyre për përgjysmimin e tarifave vjetore të studimeve, përmirësimin e kushteve nëpër konvikte dhe rritjen e buxhetit për arsimin.
Studentët e fakulteteve të Universitetit të Tiranës, Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës, kanë rifilluar protestën e tyre, pas ndërprerjes për shkak të pushimeve zyrtare të universiteteve, ndërsa kanë bojkotuar edhe procesin mësimor në auditore.
Protestës së sotme i janë bashkuar edhe qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile, të cilët mbështetin studentët në kërkesat e tyre.
Gjatë dhjetorit, Qeveria e Republikës së Shqipërisë ka miratuar disa vendime në lidhje me kërkesat e studentëve të universiteteve publike, të cilët i parashtruan gjatë protestave të tyre, por studentët insistojnë se vendimet nuk janë të plota. Konkretisht janë miratuar vendime për përcaktimin e kategorive të individëve që përfitojnë ulje të tarifës vjetore të studimit, për garantimin e transparencës financiare në institucionet publike të arsimit te lartë, për përcaktimin e kritereve dhe të procedurave të përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të administrimit në institucionet publike të arsimit të lartë.
Gjithashtu është miratuar edhe një vendim për ngritjen e komisionit të përcaktimit të literaturës akademike ndërkombëtare në institucionet e arsimit të lartë, që do të përkthehen në gjuhen shqipe.
Qeveria e Shqipërisë publikoi më 19 dhjetor draftin e një “pakti për universitetin”, pas kërkesave të vazhdueshme të studentëve protestues të universitete publike, duke angazhuar disa grupe pune, të cilat po punojnë për këtë dokument, ku pritet të publikohet së shpejti.
- Reagon kryeministri Rama
Ndërkohë, në lidhje me protestën e sotme dhe bojkotin e procesit mësimor ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. "Mbyllja me dhunë e dyerve të disa fakulteteve është fytyra kuptimplotë e pengmarrësve të një proteste shembullore, e cila tanimë ka hyrë në fazën e realizimit të kërkesave bazë dhe zhvillimit të një dialogu të brendshëm për nevojat specifike të çdo fushe studimesh", shkruan Rama në rrjetet sociale.
Kujtojmë se protesta e studentëve të universiteteve publike filloi më 5 dhjetor para selisë së Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ndërsa më pas protestuan edhe para selisë së Kuvendit të Shqipërisë dhe Kryeministrisë së Shqipërisë. Studentët ndërprenë protestën për shkak të pushimeve me rastin e festave të fundvitit, ndërsa kanë paralajmëruar se do të protestojnë përsëri.