Fatjon Cuka
23 Gusht 2017•Përditësim: 24 Gusht 2017
TIRANË (AA - Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit i Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar zhvilloi një aktivitet të përbashkët, me rastin e përkujtimit të Ditës Evropiane të Viktimave të Nazizmit e Stalinizmit, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë fjalës së saj në këtë aktivitet, Gentiana Sula, kryetare e Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit, tha se Shqipëria është pjesë e Rrjetit Evropian të Kujtesës.
“Rrjeti Evropian i Kujtesës është një rrjet që mbledh vende të ndryshme nga Evropa, si Gjermania, Polonia, Austria, Çekia, Rumania, Bullgari, etj, duke tentuar të zgjerohet në Ballkan. Ky rrjet është aktivisht i përfshirë në diskutimin ndërkombëtar mbi historinë dhe kujtesën e historisë së re të Evropës, të shekullit 20-të. Ndonëse është shekulli më modern, që supozohej të ishte më human, në fakt nuk ishte ashtu, pasi u përfshi nga dy luftëra botërore, zhyti gjysmën e Evropës në diktaturë, prodhoi sisteme totalitare, fashiste, staliniste, prodhoi gjenocide, miliona të vdekur, të humbur dhe të burgosur”, u shpreh Sula.
Në aktivitetin e organizuar në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë ishin të pranishëm historianë, kërkues shkencorë, studentë, përfaqësues të institucioneve publike dhe joqeveritare, organizatave kombëtare e ndërkombëtare, etj.
Ndërkohë, 23 gushti përkujton Ditën Evropiane të Viktimave të Nazizmit e Stalinizmit, duke i konsideruar “dëbimet, vrasjet dhe skllavërimet masive të kryera në kuadër të akteve agresive të stalinizmit dhe nazizmit, kategori e krimeve kundër njerëzimit”.