Figen Shaban
22 Gusht 2017•Përditësim: 23 Gusht 2017
MITROVICË (AA) - Nën kujdesin e Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, u mbajt ceremonia e varrimit të ish-kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi, në varrezat e dëshmorëve të fshatit Shipol, të qytetit të Mitrovicës, raporton Anadolu Agency (AA).
Sot gjatë ditës komisioni i veçantë për organizimin e ceremonisë mortore organizoi homazhe për Rexhepin, në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe pastaj në objektin e Teatrit Kombëtar u mbajt ceremonia për nder të ish-kryeministrin Rexhepi, i cili ndërroi jetë dje në moshën 63-vjeçare në Turqi pas një sëmundje të rëndë.
Pasi arkivoli i Rexhepit nga Prishtina u dërgua në vendlindjen e tij në Mitrovicë, u mbajt ceremonia e varrimit ku përveç personaliteteve nga jeta politike e Kosovës morën pjesë mijëra qytetarë dhe shumë mjekë, kolegë të tij.
Në ceremoni i pranishëm ishte Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kryeparlamentari në largim i Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri i vendit, Isa Mustafa, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë, etj.
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i cili mbajti një fjalim në këtë ceremoni tha se Kosova ka humbur një njeri të madh. “Kemi humbur një njeri me vlera të mëdha njerëzore, një prind të përkryer, një humanist të rrallë të mjekësisë, një politikan të denjë. Kemi humbur mjekun që veshi uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për t'i shëruar plagët e lirisë dhe pas luftës u bë politikan për t'i shëruar plagët e paqes”, tha Veseli.
Edhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili mbajti fjalim në ceremoninë e varrimit, tha se Bajram Rexhepi ishte një njeri i cili ka bërë shumë për vendin. Bahtiri theksoi se Rexhepi si kryeministër ka qenë shumë aktiv posaçërisht në ngjarjet e vitit 2004 në Mitrovicë. “Sa kam dhimbje kam edhe krenari që kemi patur këtë burrë që e ka njohur jo vetëm Kosova, por edhe e gjithë bota. Diplomatët e huaj çdo herë ishin afër tij sepse kishte ide të mira dhe kjo na nderon neve dhe familjen”, tha Bahtiri.