Malik Hasa
31 Mars 2017•Përditësim: 31 Mars 2017
TIRANË (AA) - Në ditën e fundit të Panairit të Punës 2017, në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, ka zhvilluar një takim me zejtarët e Tiranës, raporton Anadolu Agency (AA).
Takimi në fjalë është organizuar për promovimin e ligjit për zejtarinë, ku merrte pjesë edhe ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Milva Ekonomi. Ndërsa ligji në fjalë është një nismë nga bashkëpunimi i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
"Takimi me zejtarët, i përgjigjet nevojës së munguar prej vitesh të tregut të punës, që është ruajtja e traditës së profesioneve të humbura të zejtarisë, të cilat janë pjesë e rëndësishme e identitetit tonë. Për herë të parë krijohet rrjeti i duhur i përfaqësuesve të zejtarisë, të cilët janë të gatshëm të ofrojnë vende pune për të gjithë ata që duan të ruajnë traditën në prodhimet autentike shqiptare", thuhet në një njoftim të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Ligji për "Zejtarinë në Republikën e Shqipërisë" i miratuar në qershor të vitit të kaluar rregullon ushtrimin e veprimtarisë zejtare, kualifikimin profesional në këtë fushë, si dhe organizimin e subjekteve zejtare nëpërmjet krijimit të Dhomës Kombëtare të Zejtarisë.
Kujtojmë se në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë qëndroi i hapur për tre ditë me radhë, Panairi i Punës 2017.
Dhjetëra kompani të ndryshme që veprojnë në Shqipëri në këtë panair që u organizua nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit i Shqipërisë shpalosën ofertën e tyre për punësim dhe investimet e tyre.