Sibel Vezaj
13 Dhjetor 2016•Përditësim: 14 Dhjetor 2016
PRISHTINË (AA) - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli sot priti në takim drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, pas rastit të ndotjes së ajrit në ditët e fundit në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas këtij takimi Veseli dhe Ramadani në konferencën për media, ku drejtori Ramadani bëri të ditur se Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka informuar publikun për shkaqet e ndotjes së ajrit, duke bërë të ditur se kjo mund të jetë e rrezikshme për shëndetin e njerëzve.
Ai tha se prej 23 tetorit të këtij viti, qyteti i Prishtinës është zhytur me një ndotje, e cila, sipas të dhënave nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës dhe Ambasada Amerikane, është parë që ka vlera jashtë normales. Mirëpo, Ramadani bëri të ditur se këto vlera janë më të ulëta se qytetet tjera në Ballkan.
“Për shembull në Shkup vlerat janë regjistruar 162-174, në Beograd 180, në Sarajevë 136. Tek ne ka shkuar dikund prej 116-167 sipas informatave të fundit që janë bërë në matjet”, tha Ramadani.
Sipas tij, instituti ka analizuar këtë situatë, duke paraqitur 3 grupe të masave specifike, ku përmendi se përpilimi i planit të aksionit për përmirësimin e cilësisë së ajrit duhet të aprovohet me procedura urgjente nga Kuvendi i Kosovës. Ai po ashtu kërkoi heqjen e veturave të vjetra dhe pa katalizatorë dhe kërkoi nga qytetarët që gjatë kësaj kohe të evitojnë ecjet nëpër ambientet e hapura të qytetit të Prishtinës.
“Duke pasur parasysh kontaminimin e ajrit nga tre burime kryesore në këtë vend, sidomos në Prishtinë dhe në rrethinë nga termocentrali i Obiliqit, nga veturat dhe nga djegjet me lëndë të ndryshme djegëse të ngurta për sezon të dimrit si duket dy të parat, faktikisht djegia nga veturat dhe lëndët djegëse kanë dalur me prioritet kurse termocentrali i Obiliqit për shkak të ndërmarrjes së masave nga institucionet e Kosovës në ndaljen e emitimit të ajrit të ndotur është ndërprerë kontaminimi i madh që ka qenë deri më sot”, ka thënë Ramadani.
Nga ana tjetër, kryeparlamentari Veseli tha se duhet ndërmarrë të gjitha masat, duke eliminuar shkaktarët e kësaj gjendjeje, e cila po e vështirëson jetesën e qytetarëve, veçanërisht të atyre që jetojnë në vise urbane.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës do të merr çdo iniciativë veçanërisht në implementimin e strategjisë kombëtare të mbrojtjes së mjedisit. Shumë shpejt do ta kemi nga Ministria e Mjedisit dhe Ambientit planin e veprimit për cilësinë e ajrit në mënyrë që të implementohen të gjitha këto aspekte legjislative të cilat kanë të bëjnë me mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve tanë, i cili është interes parësor në Republikën e Kosovës”, tha Veseli.
Ai e konsideroi si imediate nevojën e evitimit të përdorimit të makinave të vjetra në ambiente urbane, të zvogëlimit të lirimit të dyoksidit të karbonit nga ngrohja, si dhe nevojën e shtrirjes së ngrohjes së qytetit në të gjithë territorin e kryeqendrës.