Abdulbesar Ademi
26 nëntor 2026•Përditësim: 26 nëntor 2026
Bashkimi Evropian (BE) dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor kanë riafirmuar angazhimin për perspektivën e anëtarësimit të vendeve të rajonit në bllokun evropian, në përfundim të samitit të mbajtur dje në Bruksel, transmeton Anadolu.
Në deklaratën përfundimtare, të lëshuar nga zyra e BE-së në Shkup, liderët evropianë theksuan se zgjerimi është investim strategjik në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës, duke u bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor të përshpejtojnë reformat, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe demokracisë.
“Ne përsërisim angazhimin tonë të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Unionin tonë. Zgjerimi është një mundësi realiste, e cila duhet të shfrytëzohet", theksohet në deklaratë.
BE-ja theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit rajonal dhe zbatimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, duke përmendur edhe marrëveshjet e Maqedonisë së Veriut, përkatësisht Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin me Bullgarinë.
“Nevojiten ende përpjekje të mëtejshme dhe vendimtare për të nxitur pajtimin dhe stabilitetin në rajon si dhe për të gjetur dhe zbatuar zgjidhje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe detyruese për mosmarrëveshjet dhe problematikat rajonale dhe dypalëshe të partnerëve të rrënjosura në trashëgiminë e së kaluarës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e përcaktuara”, theksohet më tej.
Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, udhëheqësit riafirmuan mbështetjen për procesin e ndërmjetësuar nga BE-ja, duke u bërë thirrje të dyja palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjet e arritura.
“Mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit vazhdon t’i pengojë të dy partnerët në rrugën e tyre drejt Evropës”, shtoi deklarata. Deklarata thekson rëndësinë e përafrimit të politikës së jashtme dhe të sigurisë së vendeve të rajonit me atë të BE-së si dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, mbrojtjes, energjisë dhe migracionit.
Në aspektin ekonomik, BE-ja vlerësoi potencialin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili parasheh deri në 6 miliardë euro për reforma dhe investime, krahas 29 miliardë eurove të parashikuara përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve.
Udhëheqësit nënvizuan rëndësinë e integrimit gradual të vendeve të rajonit në tregun e vetëm evropian dhe përmirësimit të lidhjeve infrastrukturore, digjitale dhe energjetike.
Dje, ne Bruksel u mbajt takimi i nivelit të lartë ndërmjet BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku liderët e bllokut dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor shkëmbyen qëndrime mbi përparimin e procesit të integrimit evropian, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe nevojën për përshpejtimin e reformave që lidhen me anëtarësimin në BE.