Besimtarët muslimanë në vendet e rajonit falin namazin e Fitër Bajramit
Besimtarët muslimanë janë mbledhur nëpër sheshe dha xhami në kryeqytetet e vendeve të rajonit, por edhe në xhamitë e qyteteve të tjera, për t’u bërë pjesë e lutjeve dhe faljes së namazit të një ndër festave më të mëdha të fesë islame

Shkup
SHKUP/TIRANË/PRISHTINË (AA) - Besimtarët muslimanë në Maqedoni të Veriut, Shqipëri dhe Kosovë kanë falur namazin e Fitër Bajramit, duke i mbushur xhamitë me pjesëmarrjen e mijërave besimtarëve, raporton Anadolu.
Besimtarët muslimanë janë mbledhur nëpër sheshe dha xhami në kryeqytetet e vendeve të rajonit, por edhe në xhamitë e qyteteve të tjera, për t’u bërë pjesë e lutjeve dhe faljes së namazit të një ndër festave më të mëdha të fesë islame.
Ashtu si në shumë qytete të Maqedonisë së Veriut, edhe në Shkup mijëra besimtarë iu drejtuan xhamive për të falur këtë namaz pas përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit.
Nën organizimin e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut (BFI), Xhamia Mustafa Pasha në Shkup ishte vendi ku u mbajt manifestimi qendror për faljen e namazit të Fitër Bajramit. Gjatë ceremonisë u kënduan Kuran dhe ilahi në disa gjuhë, ndërsa hutben tradicionale e udhëhoqi kreu i BFI-së, Shaqif Fetahi.
Fetahi, në një prononcim pas namazit, tha se sot është një gëzim i madh për të gjithë besimtarët muslimanë.
"Ky gëzim i madh në të njëjtën kohë është falënderim ndaj të madhit Zot, që me bindje të thellë, me iman të paluhatshëm arritëm gjatë gjithë ditëve të muajit të shenjtë të Ramazanit të kryejmë kushtin themelor të Islamit, agjërimin për hirë të Allahut fuqiplotë", tha Fetahi.
Ndërkaq, ceremonia qendrore për namazin e Bajramit në Shqipëri është mbajtur në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, me pjesëmarrjen e mijëra besimtarëve.
Pjesë e ceremonisë qendrore në Tiranë ishin edhe leximi i Kuranit, ligjërata dhe hutbeja.
Edhe në sheshet dhe xhamitë e qyteteve të tjera të Shqipërisë janë mbajtur programe për Fitër Bajramin.
Manifestimi qendror i Bashkësisë Islame të Kosovës është mbajtur në Xhaminë e Madhe “Sulltan Mehmet Fatih”, në Prishtinë.
Hutben e festës e mbajti myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili foli për rëndësinë e familjes, si bazë e shoqërisë.
Tërnava tha se Islami urdhëron për ruajtjen e lidhjeve familjarëve dhe farefisnore dhe në Islam është obligim sjellja e mirë me nënën dhe babain.
“Menjëherë pas adhurimit që bëhet për Zotin xh.sh. jemi të urdhëruar për përkujdesje ndaj prindërve, me dashuri dhe respekt. Përkujdesja ndaj prindërve është një rrugë e drejtë, e cila na afron drejtë mëshirës së Zotit xh.sh.”, theksoi Tërnava.
Tutje, myftiu Tërnava tha se Islami është kundër modeleve të familjes që dalin nga struktura tradicionale dhe parimeve të burrit dhe gruas.
“Muhamedi alejhiselam shumë herë na porositi për përkujdesje, ndihmë dhe mirësjellje ndaj familjes dhe prindërve. Ai në një rast tha, më i miri prej jush është ai që është më i miri ndaj familjes së tij, dhe unë jam më i miri ndaj familjes time. Fatkeqësisht sot kemi shumë prindër të braktisur, të harruar nga fëmijët e tyre. Ata kanë ngelur pa kujdes, gjë e cila po e rëndon jetën e tyre deri në ekstrem”, theksoi Tërnava.
Pas urimit të myftiut Tërnava, mesazhe urimi dërguan edhe qytetarët pas faljes së namazit të Fitër Bajramit, duke uruar njëri-tjetrin fizikisht dhe virtualisht.
Po ashtu, besimtarë të shumtë kanë falur namazin e Bajramit edhe në vendet e tjera të rajonit.