BALLKANI

Xhamia e Ballies në Elbasan, një nga objektet më të veçanta të kultit në botë

Kjo xhami është përzgjedhur si një nga pesë objektet më të bukura të kultit në botë, duke u bërë pjesë e finales së çmimit prestigjioz “Building of the Year 2025” nga ArchDaily

Fatjon Cuka  | 29.03.2025 - Përdıtësım : 31.03.2025
Xhamia e Ballies në Elbasan, një nga objektet më të veçanta të kultit në botë Foto: Olsi Shehu/AA

Elbasan

ELBASAN (AA) - FATJON CUKA - Xhamia e Ballies në Elbasan, e cila është vlerësuar si një nga objektet më të veçanta të kultit në botë, tërheq vëmendjen me arkitekturën unike.

Xhamia është fituesja e Çmimit Ndërkombëtar për Arkitekturën më të Bukur Fetare të Vitit 2025, organizuar nga ArchDaily, një nga platformat e njohura ndërkombëtare në fushën e arkitekturës.

Kjo xhami është përzgjedhur si një nga pesë objektet më të bukura të kultit në botë, duke u bërë pjesë e finales së çmimit prestigjioz “Building of the Year 2025” nga ArchDaily.

E vendosur në qendër të qytetit të Elbasanit, xhamia ka një sipërfaqe totale rreth 1.800 metra katrorë, një kupolë dhe dy minare.

Përveç ambienteve të faljes, xhamia ka edhe një sallë konferencash, disa klasa, zyra dhe një bibliotekë, ndërsa spikat me dizajnin e saj inovativ, që nga fasada e saj e jashtme, ambientet e brendshme dhe minaret.


- Historiku i xhamisë

Xhamia e Ballies është një ndër objektet më të vjetra në Elbasan, e cila u ndërtua fillimisht nga Hasan Balliu në vitin 1608-1609 në qendër të qytetit.

Gjatë regjimit komunist kjo xhami u shkatërrua tërësisht. Me kontributin e një familjeje nga Kuvajti xhamia u rindërtua në formën që ka sot dhe u inaugurua në vitin 2022, duke ruajtur frymën e origjinalit, por me një dizajn arkitekturor modern dhe inovativ.

Gëzim Karaj, imami i Xhamisë së Ballies, për Anadolu thekson se kjo xhami është një nga xhamitë më të mëdha të Elbasanit.

"Xhamia e Ballies ka qenë një nga xhamitë e vjetra të qytetit të Elbasanit, nga xhamitë më të bukura që ka pasur qyteti i Elbasanit, por dhe më gjerë, e ndërtuar disa shekuj më parë. Ka qenë si xhami kryesore në qytetin e Elbasanit të asaj kohe. Me ardhjen e komunizmit e rrëzuan, e prishën dhe kjo ka qenë një goditje e madhe për qytetin e Elbasanit, sidomos për besimtarët", tha Karaj.

Sipas tij, Xhamia e Ballies ka qenë ndër xhamitë më të bukura të Ballkanit për shkak të stilit që kishte dhe që ruhej tradicionalja e qytetit të Elbasanit.

Karaj tregon ndër të tjera se Xhamia e re e Ballies, është rindërtuar mbi themelet e xhamisë së vjetër që u shemb gjatë regjimit komunist.


- Arkitektura unike e xhamisë

Xhamia e Ballies është projektuar nga një arkitekt shqiptar nga qyteti i Elbasanit. Për ndërtimin e xhamisë është përdorur druri për ambiente e brendshme, si dhe mermer dhe bakër.

Projekti i rindërtimit është një ndërthurje e tradicionales me elementët e arkitekturës bashkëkohore, duke bërë që ajo të vlerësohet si një nga objektet më të veçanta të kultit në botë.

"Patjetër që xhamia ka atë bukurinë e vet, ka marrë dhe çmimin, por qëllimi kryesor i xhamisë është që të mbushet me besimtarë, pra të frekuentohet nga besimtarët. Qëllimi i xhamisë është të lartësohet emri i Zotit, sepse ky objekt përcjellë paqe, dituri, harmoni dhe dashuri", shprehet Karaj.

Karaj thekson se për shkak të arkitekturës së veçantë, por edhe për shkak të çmimit që mori, xhamia tërheq vizitorë vendas dhe të huaj.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın