Agim Sulaj
16 shtator 2022•Përditësim: 19 shtator 2022
Në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë është mbajtur ceremonia e betimit të kadetëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Ditën e Betimit të Kadetëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Radhët e FSK-së, janë shtuar me 12 pjesëtarë të rinj të cilët për katër vjet kanë ndjekur program profesional të përgatitjes ushtarake.
Në betimin e tyre, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj tha se kadetët në katër vitet e ardhshme do të stërviten që të jenë udhëheqës me karakter të lartë ndaj vlerave, detyrës, nderit dhe atdheut.
“Ju për katër vitet e ardhshme do të përgatiteni me karrierë profesionale në shërbimin e atdheut si oficerë të ushtrisë së Republikës së Kosovës. Kërkoj nga ju që çdo ditë të studioni e të formoheni me historinë e popullit tonë, histori kjo jo vetëm që përmban luftën tonë për liri, drejtësi dhe barazi”, theksoi Mehaj.
Në ceremoninë e betimit të “Klasës 2026” të kadetëve të rinj, ministri Mehaj tha se në katër vitet e ardhshme pret që ata të arrijnë zhvillimin e duhur ushtarak, fizik dhe moral.
Mehaj tha se pret që kadetët e rinj të jenë të gatshëm t’i bashkoheni me stërvitje dhe operacione ndërkombëtare në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë.
Programi profesional synon që gjatë katër viteve në faza të ndryshme t’u ofrojë kadetëve përvetësimin e njohurive dhe shkathtësive ushtarake.
Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila u shndërrua në ushtri më 14 dhjetor të vitit 2018, ka rreth 8 mijë pjesëtarë, 5 mijë pjesëtarë aktivë dhe 3 mijë rezervë.