BALLKANI

Bullgaria dhe Rumania përgatiten t'i bashkohen zonës Schengen

Kontrollet kufitare dhe doganore me fqinjët e Bullgarisë që nuk janë pjesë e Schengen-it; Türkiyes, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, do të vazhdojnë edhe pas 1 janarit 2025

Ihvan Radoykov  | 25.11.2024 - Përdıtësım : 25.11.2024
Bullgaria dhe Rumania përgatiten t'i bashkohen zonës Schengen

Sofje

Përderisa në Bullgari vazhdojnë përgatitjet për bashkim të plotë në Zonën Schengen, e cila parashikohet të ndodhë në fillim të vitit 2025, pritet me kuriozitet vendimi përfundimtar i ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian (BE) për këtë çështje më 12 dhjetor, raporton Anadolu.

Bullgaria në këtë rrugëtim është së bashku me fqinjën verior, Rumaninë, ndërsa më 31 mars e fitoi të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Schengen nga ajri dhe deti.

Në mbledhjen e ministrave të Brendshëm të BE-së, që do të mbahet më 12 dhjetor, pritet të miratohet pranimi i Bullgarisë dhe Rumanisë në Zonën Schengen. Zyrtarët bullgarë e vlerësuan si zhvillim pozitiv bashkimin e vendit të tyre në Zonën Schengen duke filluar nga 1 janari 2025.

"Duke filluar nga fillimi i vitit, pasi të jemi pranuar në zonën Schengen, portat kufitare do të mbeten, kontrollet do të hiqen. Partnerët tanë të huaj e panë që ne ishim gati për Schengen-in, edhe para politikanëve", tha drejtori i Policisë Kufitare të Bullgarisë, Anton Zlatanov.

Ai thekson se policia kufitare ka bërë "përpjekje të jashtëzakonshme" për ta ndërmarrë këtë hap të rëndësishëm deri më tani. Zlatanov tha se do të ruhet infrastruktura e kontrollit në portat kufitare me vendet e tjera anëtare të Schengen-it, por kalimet do të jenë më komode.


- "Detyra e Bullgarisë do të jetë më e vështirë"

Ministri i Brendshëm bullgar, Atanas Ilkov tha se kontrolli me fqinjin juglindor Greqinë do të hiqet plotësisht.

"Kontrolli i kufirit me fqinjin tonë verior Rumaninë do të vazhdojë edhe për 6 muaj të tjerë, por nuk do të zbatohet plotësisht. Askush nuk duhet të mendojë se mund të hyjë në Bullgari pa u kontrolluar. Kushdo që konsiderohet i dyshimtë do të kontrollohet", tha Ilkov.

Duke vënë në dukje se puna e policisë kufitare pritet të rritet, Ilkov tha: "Detyra e Bullgarisë do të jetë më e vështirë. Oficerët tanë do të duhet të jenë më të 'padukshëm' në punën e kontrollit në mënyrë që të mos pengojnë lëvizjen e lirë".

Ai shtoi se do të rritet bashkëpunimi me njësitë e sigurimit të vendeve anëtare të Schengen-it.

Ministri bullgar i Turizmit, Evtim Miloshev tha se pjesëmarrja e plotë e vendit të tij në zonën Schengen do të ndikojë pozitivisht në sektorin e turizmit. Ai theksoi se hapja e kufijve të përbashkët të Bullgarisë me Rumaninë dhe Greqinë do të lehtësojë lëvizjen e turistëve.

Kontrollet kufitare dhe doganore me fqinjët e Bullgarisë që nuk janë pjesë e Schengen-it; Türkiyes, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, do të vazhdojnë edhe pas 1 janarit 2025.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın