Agim Sulaj
05 Mars 2021•Përditësim: 06 Mars 2021
Në Dhomat e Specializuara me seli në Hagë apo Gjykatën Speciale për krime lufte, është mbajtur seanca e radhës për ecurinë e çështjes për ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, transmeton Anadolu Agency (AA).
Seanca ka pasur objektiv që të shqyrtohet ecuria e çështjes dhe organizimi i hapave të fundit procedurale përpara kalimit të dosjes gjyqësore tek trupi gjykues.
Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se tashmë e ka përfunduar procedurën e nxjerrjes së provave, në përjashtim të provave të tjera që mund të dalin nga aktivitetet hetimore.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka përfunduar hetimet e veta, ka vetëm dy aktivitete hetimore ende të papërfunduara. Por, këto dy aktivitete nuk e pengojnë fare kalimin e çështjes në proces gjyqësor. Pra, ne jemi gati për të filluar procesin gjyqësor”, u bë e ditur nga ZPS në këtë seancë.
Ndërkaq, mbrojtja e Salih Mustafës, kërkoi shtyrje të afateve për procedurat e ardhshme para nisjes së gjykimit.
Avokati Julius Von Bone tha se mbrojtja e Mustafës do të qëndrojë në Kosovë nga 19 marsi deri më 5 prill për të mbledhur prova për t'u përgatitur për përballje në procesin gjyqësor.
Von Bone tha se materiali nga hetimet dhe inspektimet e mbrojtjes do të kalojë tek trupi gjykues më së voni më 30 prill ndërsa pas kësaj date do të jetë shumë e thjeshtë për ta për t’i planifikuar datat e tjera.
“Sa i takon konferencës së ardhshme për ecurinë e çështjes mendojmë se nga fillimi i majit do të ishte e dobishme. Me shumë gjasë edhe anëtarët tjerë të ekipit do të ishin në gjendje që të ishin të pranishëm në seancë përfshirë edhe klientin tim, për të pasur një pamje të plotë të çdo çështjeje tjetër të mbetur pezull”, tha ai, duke shtuar se pas dorëzimit të kësaj dosjeje do të jetë e nevojshme edhe një konferencë përmbyllëse për ecurinë e çështjes për të shtjelluar gjërat që do të dalin.
Salih Mustafa u arrestua dhe ekstradua nga Kosova në Holandë më 24 shtator të vitit 2020 me urdhër të gjykatësit pasi aktakuza ndaj tij ishte konfirmuar. Më 28 tetor ai u deklarua i pafajshëm për pikat e aktakuzës ndaj tij.
Aktakuza e konfirmuar kundër Salih Mustafës thotë se ai është përgjegjës për disa krime, si tortura dhe keqtrajtim ndaj të paktën gjashtë personave në periudhën nga 1 prilli 1999 deri më 19 prill 1999 në fshatin Zllash, ku operonte një qendër burgimi.