BALLKANI

Hapet për qarkullimin Tuneli i Murrizit, pjesë e Rrugës së Arbrit

Në ceremoninë e hapjes së tunelit ishte i pranishëm Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të institucioneve vendore dhe qindra qytetarë

Fatjon Cuka  | 14.03.2025 - Përdıtësım : 14.03.2025
Hapet për qarkullimin Tuneli i Murrizit, pjesë e Rrugës së Arbrit

Tiranë

Tuneli i Murrizit, pjesë e Rrugës së Arbrit, është hapur sot për qarkullimin e automjeteve, transmeton Anadolu.

Në ceremoninë e hapjes së tunelit ishte i pranishëm Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të institucioneve vendore dhe qindra qytetarë.

Pasi përshkuan një pjesë të tunelit në këmbë, zyrtarët vijuan rrugën me autobus duke parë nga afër edhe punën e realizuar, si dhe masat e ndërmarra për sigurinë në tunel.

Sipas një njoftimi nga Kryeministria e Shqipërisë, "Kryeministri Rama vlerësoi punën e jashtëzakonshme dhe inkurajoi që të gjenden zgjidhjet infrastrukturore edhe për çdo pjesë tjetër të rrugës, në mënyrë që të jetë sa më funksionale dhe lehtësisht e aksesueshme".

“Është plotësisht i përfunduar në të gjithë komponentët e tij dhe ana ndërtimore dhe elektromekanike. Gjithçka është funksionale. Nuk parashikohet të ketë asnjë ndërprerje më të trafikut. Mund të themi që është një nga pjesët e krenarisë së infrastrukturës shqiptare. Është një vepër arti, duke qenë se tuneli është i gjithi i blinduar në hekur, përndryshe nuk do të qëndronte", është shprehur e Zv.kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

I cilësuar edhe si “shtylla kurrizore” e Rrugës së Arbrit, Tuneli i Murrizit, është i gjatë rreth 3,8 kilometra.

Me një gjatësi në total rreth 74 kilometra, Rruga e Arbrit është rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me Maqedoninë e Veriut. Kjo rrugë do të shërbejë edhe si rrugë lidhëse ndërkombëtare. Pjesë e Rrugës së Arbrit janë edhe disa tunele të tjerë dhe disa ura.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın