Agim Sulaj
12 Shtator 2019•Përditësim: 13 Shtator 2019
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nëpërmjet një shkrimi në rrjetet sociale ka njoftuar të enjten se do ta anulojë pjesëmarrjen e tij në punimet e Samitit V4 dhe WB6 nën kryesimin e Çekisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Haradinaj tha se arsyeja e anulimit të pjesëmarrjes është angazhimi i tij në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 6 tetor në Kosovë.
“Përmes kësaj letre i kam shprehur falënderimet e sinqerta Kryeministrit të Republikës së Çekisë, Andrej Babis, për ftesën drejtuar Kryeministrit të Kosovës për të marrë pjesë në Samit, dhe çmojmë lartë përkushtimin e Republikës së Çekisë ndaj Ballkanit Perëndimor dhe perspektivës evropiane të rajonit. Si Kosovë do të vazhdojmë të jemi kontribuues serioz për paqe dhe stabilitet në rajon dhe ndaj dialogut me Serbinë, i cili do të përfundoj me njohje reciproke, në kufijtë ekzistues”, shkroi Haradinaj.
Mediat në Çeki raportuan dje se Kosova ka anuluar pjesëmarrjen në këto punime për shkak të deklaratave të presidentit çek, Milosh Zeman, i cili tha se do “të shohë nëse Republika Çeke mund të tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës”.
Por, pas kësaj deklarate të presidentit çek, ka qenë ministri i Jashtëm çek, Tomash Petricek, ai i cili deshi “ta shndërrojë deklaratën në shaka”, duke thënë se presidenti Zeman “nuk e do Kosovën pasi e ka mposhtur ekipin e futbollit çek, tifoz i të cilës është ai (Zeman)”.
Përpos kësaj, Petricek ja ka konfirmuar mbështetjen Kosovës edhe homologut të tij kosovar, Begjet Pacolli, i cili një gjë të tillë e bëri të ditur të mërkurën nëpërmjet rrjeteve sociale.
“Republika Çeke sot përmes Ministrit të saj të Punëve të Jashtme Tomash Petricek ka konfirmuar mbështetjen e fuqishme për Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran dhe integrimin e saj në BE, NATO dhe organizata ndërkombëtare. Miqësia dhe partneriteti ynë është i fortë si guri. Ju bëj thirrje të gjithëve që të mos bien në grackën e Beogradit për të përhapur lajme që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Nuk ka asnjë ç’njohje të Kosovës, vetëm rruga përpara për ta bërë Kosovën më të fortë dhe pjesë si e barabartë e bashkësisë ndërkombëtare”, shkroi Pacolli.
Në Samitin e Pragës pritet të marrin pjesë përpos Çekisë, edhe Sllovakia, Polonia e Hungaria, si dhe kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, për të diskutuar rreth procesit të anëtarësimit të këtyre vendeve në Bashkimin Evropian (BE).