Abdula Berisha
12 Shtator 2019•Përditësim: 13 Shtator 2019
Grupi punues për bujqësi dhe zhvillim rural pranë Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian (BE) në Maqedoninë e Veriut ka mbajtur mbledhjen e gjashtë me radhë me temë "Sfidat e bujqësisë që përballet me ndryshimet klimatike", raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë sesion i pranishëm ishte edhe ministri i Bujqësisë, Trajan Dimkovski, i cili tha se ndikimi i ndryshimeve klimatike fillimisht vërehen në bujqësi. Ai theksoi se janë ndërmarrë disa masa preventive, duke përmendur pajisjen e disa laboratore të Entit hidrometeorologjik, subvencionimi i polisave të sigurimit për bujqit si dhe ndërtimin e sistemeve të ujitjes.
"Do të theksoja vetëm një huamarrje më të madhe prej KfW, banka gjermane, diku rreth 80 milionë euro do të investohen pikërisht në katër sisteme të mëdha të ujitjes ku presim diku mbi 30 mijë hektarë të përfshihen me sistem të ujitjes", tha ministri Dimkovski.
Në sesion i pranishëm ishte edhe eksperti nga Sllovakia, Jan Barshvary, i cili tha se edhe vendi i tij vuan nga ndryshimet klimatike.
"Bujqit pësojnë shumë dëme. Ne duhet të ndërmarrim disa masa për t'i mbrojtur bujqit. Do të thoja që ka dy nivele: Njëri është niveli i bujkut, që nënkupton se bujku duhet të mbrojë veten me disa masa të caktuara. Këtu është edhe roli i shtetit, shteti duhet t'ua kompesojnë këto dëme bujqve", tha Barshvary.
Profesori universitar Ordan Çukalliev tha se ndryshimet klimatike vetvetiu nuk janë problem, por sipas tij, problem është aftësia për t'u përshtatur, duke shtuar se duhet të punohet më shumë me bujqit. Ai theksoi se një çështje serioze është edhe mungesa e informatave për të bërë hulumtimet shkencore.
"Më duhet të jem i sinqertë, shumë gjëra nuk i dimë. Për shkak se hulumtimet shkencore që duhet t'i krijojnë dijet, thjesht mungojnë. Mungojnë për shkak të mungesës së të dhënave. Shkencëtarët nuk kanë në dispozicion të dhënat me të cilat disponojnë institucionet e sistemit", tha Çukalliev.
Konventa Kombëtare për BE-në në Maqedoninë e Veriut është një forum i hapur për arritjen e konsensusit më të gjerë shoqëror për çështjet që ndërlidhen me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.