Agim Sulaj
05 Mars 2021•Përditësim: 06 Mars 2021
Në kazermën “Adem Jashari” të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Prishtinë është mbajtur manifestimi qendror për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), raporton Anadolu Agency (AA).
Në kazermën “Adem Jashari” të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Prishtinë është mbajtur manifestimi qendror për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Pas Paradës së FSK-së në ambientet e kazermës, ushtarëve dhe qytetarëve u është drejtuar me fjalë rasti ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )
Pas Paradës së FSK-së në ambientet e kazermës, ushtarëve dhe qytetarëve u është drejtuar me fjalë rasti ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani tha se beteja tre ditore, më 5, 6 dhe 7 mars 1998 nga familja Jashari në Prekaz të Skenderajt vuri themelet e lirisë së Kosovës.
“Të dashur ushtarakë, në 23 vjetorin e Epopesë së UÇK-së dhe 13 vjetorin e pavarësisë tonë, brezat e tashëm dhe të ardhshëm do të jetojnë me shëmbëlltyrën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe të familjes së tij, të cilët mbi fatin e tyre e vunë fatin e kombit, duke u flijuar që të gjithë për liri”, theksoi Osmani.
Ajo tha se anëtarësimi në NATO mbetet ende objektiv i Kosovës, teksa shtoi se FSK-ja edhe më tej po zhvillohet si forcë ushtarake profesionale dhe ndërvepruese me forcat e NATO-s.
Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, tha se akti heroik i familjes Jashari i filluar në mëngjesin e 5 marsit 1998 dha frymëzimin e madh për t’i rezistuar një regjimi.
“Këto tri ditë të rezistencës në Prekaz dhanë kushtrimin për popullin tonë, për liri dhe pavarësi, si dhe alarmin për qendrat e vendimmarrjes botërore për të ofruar mbështetje për të vërtetën e Kosovës dhe popullit të saj”, theksoi Hoti.
Hoti u tha ushtarëve të FSK-së ta realizojnë misionin e tyre për ruajtjen e Kosovës, sepse kështu e dërgojnë në vend amanetin e mijëra dëshmorëve të atdheut.
I pranishëm në këtë ngjarje ka qenë edhe biri i Hamëz Jasharit, Bekim Jashari i cili njëherësh është edhe kryetar i Komunës së Skenderajt.
Jashari tha se është nder e jashtëzakonshme dhe krenari të shohësh vajzat dhe djemtë e FSK-së që pasojnë rrugën e UÇK-së dhe të komandantit Adem Jashari për t’i shërbyer shtetit dhe shoqërisë në çdo kohë.
Epopeja e UÇK-së është ngjarje me të cilën për tri ditë me radhë, më 5, 6 dhe 7 mars që nga paslufta në Kosovë kujtohet komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja e tij, të cilët ranë dëshmorë në këto ditë të vitit 1998 nga sulmet e njësiteve speciale policore serbe.