Serdar Dincel
17 Maj 2026•Përditësim: 17 Maj 2026
Një zjarr i shkaktuar nga një sulm me dron shpërtheu pranë centralit bërthamor Barakah në Abu Dhabi, thanë të dielën zyrtarët emiratas, transmeton Anadolu.
“Autoritetet në Abu Dhabi iu përgjigjën një incidenti zjarri që shpërtheu në një gjenerator elektrik jashtë perimetrit të brendshëm të centralit bërthamor Barakah në rajonin Al Dhafra, i shkaktuar nga një sulm me dron”, tha Zyra e Medias në Abu Dhabi në rrjetin social amerikan X.
“Nuk u raportuan të lënduar dhe nuk pati ndikim në nivelet e sigurisë radiologjike”, shtohet në deklaratë.
Zyra tha se janë zbatuar të gjitha masat parandaluese.
“Zjarri nuk ndikoi në sigurinë e centralit apo në gatishmërinë e sistemeve të tij thelbësore, dhe të gjitha njësitë po funksionojnë normalisht”, thuhet në deklaratë, duke cituar Autoritetin Federal për Rregullimin Bërthamor (FANR).
Nuk u dhanë informacione për burimin e sulmit me dron.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që nga sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit në shkurt. Teherani u kundërpërgjigj me sulme që kishin në shënjestër Izraelin si dhe aleatë të SHBA-së në Gjirin Persik, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill përmes ndërmjetësimit të Pakistanit, por bisedimet në Islamabad nuk arritën të prodhojnë një marrëveshje të qëndrueshme. Presidenti amerikan Donald Trump më vonë e zgjati armëpushimin pa afat.