Agim Sulaj
16 nëntor 2022•Përditësim: 16 nëntor 2022
Ministria e Shëndetësisë ka mbajtur konferencë për media në kuadër të shënimit të Javës Botërore të ndërgjegjësimit për rezistencën antimikrobike, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë konferencë morën pjesë ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, përfaqësues nga Instituti i Kombëtar për Shëndetësi Publike në Kosovë (IKSHPK), përfaqësues nga Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë, etj.
Për shkak të përdorimit të pakontrolluar të antibiotikëve si dhe blerjes së tyre pa recetë të mjekut, rezistenca antimikrobike është sfidë edhe për shëndetësinë kosovare, u tha ndër të tjera në këtë konferencë.
Dy nga mesazhet kryesore që u përçuan nga konferenca ishin që antibiotikët të përdoren me kujdes, asnjëherë kundër gripit si dhe të mos merren antibiotikët pa përshkrimin e mjekut.
U.d. ministrja Gexha-Bunjaku tha se rezistenca antimikrobike është sfidë edhe për sistemin shëndetësor në Kosovë.
Ajo tha se sfidat kryesore të kësaj fushe janë përdorimi i panevojshëm i antibiotikëve sidomos në Kujdesin Parësor Shëndetësor dhe qasja e lehtë tek to nëpër barnatore edhe pa udhëzim të mjekut.
"Nga viti 2011 deri në vitin 2018 Kosova ka shënuar ulje të ndjeshme të konsumit total të antibiotikëve prej 25 për qind, megjithatë ende prinë në Evropë me keqpërdorimin e antibiotikut ceftriaxone", theksoi Gexha-Bunjaku.
Përfaqësuesja e Zyrës së OBSH-së në Kosovë, Edita Haxhiu tha se rezistenca antimikrobike është ndër 10 kërcënimet kryesore globale sipas OBSH-së.
Haxhiu tha se për këtë çështje është i nevojshëm edukimi i qytetarëve për përdorimin adekuat të antibiotikëve, i cili duhet të bëhet gjithmonë me këshillim të mjekut.
"Rezistenca antimikrobike nxitet nga dy faktorë: keqpërdorimi dhe tejpërdorimi, faktorë të cilët mund t’i evitojmë me një përdorim adekuat të antibiotikëve dhe me një përdorim jo të tepruar", tha ajo.
Doktori i Mikrobiologjisë nga IKSHPK, Lul Raka tha se sot në botë gati 5 milionë vdekje lidhen me rezistencën ndaj antibiotikëve tek infeksionet bakteriale ndërsa 1.3 milionë njerëz drejtpërdrejt kanë vdekur prej infeksionit rezistent.
"Faktori kryesor është keqpërdorimi i antibiotikëve. Pikërisht përdorimi atëherë kur s’ka nevojë. Tek ne më së shpeshti kjo ndodhë tek gripi, tek infeksionet e rrugëve të sipërme të cilat shumicën e rasteve janë virale dhe s’ka nevojë të merret antibiotik", theksoi Raka.
OBSH-ja ka filluar me shënimin e Javës botërore të vetëdijesimit për antibiotikë nga viti 2015. Kjo javë shënohet në shumë vende të botës me qëllim që të ngre vetëdijen për rezistencën antimikrobike si dhe të inkurajojë praktikat më të mira në mesin e publikut të gjerë, profesionistëve shëndetësor dhe politikë-bërësve për të shmangur shfaqjen dhe shpërndarjen e mëtutjeshme të rezistencës ndaj antibiotikëve.