Agim Sulaj
11 Qershor 2021•Përditësim: 12 Qershor 2021
Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit asnjë person i infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19) nuk ka vdekur, duke bërë që numri i përgjithshëm i viktimave nga ky virus të mbetet në 2.248, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), vendi ka regjistruar 10 raste të reja me koronavirus, me çka numri i tyre ka shkuar në gjithsej 107.554.
Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK dhe laboratoret private janë testuar gjithsej 1.977 mostra të dyshuara për COVID-19 ndërsa nga fillimi deri më tani janë testuar 638.568 mostra.
Sa i përket numrit të të shëruarve, të dhënat njoftuar për 116 pacientë të rinj. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka arritur në 104.679, ndërkohë numri i rasteve aktive me COVID-19 është 627.
Sa i përket procesit të vaksinimit, në 24 orët e fundit janë dhënë 2.674 doza të vaksinës kundër COVID-19, ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 92.890 doza të vaksinës.