Melike Pala
02 tetor 2026•Përditësim: 02 tetor 2026
Protestat e nxënësve dhe studentëve vazhduan të premten në rajonin e Liezhit në Belgjikë, ku qindra të rinj u mblodhën në shkolla dhe në disa lokacione në gjithë provincën, ndërsa policia bëri arrestime të shumta, transmeton Anadolu.
Në Herstal, një komunë në provincën e Liezhit, policia bëri 18 arrestime administrative pasi ndërhyri ndaj personave që kryebashkiaku Frederic Daerden i përshkroi si “individë kërcënues dhe të dhunshëm”, raportoi transmetuesi RTBF.
Në Liezh, disa grupe protestuesish u mblodhën në qendër të qytetit, ndërsa policia tha se gjatë mëngjesit 500 deri në 600 demonstrues kaluan pranë disa shkollave.
Autoritetet raportuan disa incidente gjatë protestave, përfshirë përpjekje për të hyrë në shkolla, përmbysje të mobilieve urbane dhe hedhje objektesh ndaj ndërtesave shkollore.
Sipas policisë, u dëmtuan edhe disa biznese, ndërsa disa skuterë u dogjën.
Policia tha se protestuesit hodhën gurë ndaj efektivëve pranë një shkolle të mesme, teksa këta të fundit po përpiqeshin të shpërndanin demonstruesit.
Policia tha se deri në mesditë në Liezh ishin arrestuar tre persona dhe një person ishte vendosur në ndalim administrativ.
Protestat u shtrinë edhe në institucionet e arsimit të lartë, ku qindra studentë u mblodhën para universitetit të shkencave të aplikuara Helmo Esas.
Studentët thanë se po protestonin kundër reformave në arsim dhe masave që ndikojnë në jetën e tyre të përditshme, përfshirë rritjen e kostove të transportit publik.
Demonstratat e fundit pasuan incidentet e së enjtes, të cilat bënë që shumë shkolla të mesme në Liezh të mbylleshin si masë paraprake.
Lëvizja protestuese në Belgjikë u zhvillua në një kohë kur nxënësit e shkollave të mesme në Francë prej disa ditësh kanë bllokuar hyrjet dhe kanë protestuar para shkollave të tyre, duke kërkuar kushte më të mira për mësim.