Agim Sulaj
09 Gusht 2022•Përditësim: 10 Gusht 2022
Është zhvilluar në Qeverinë e Kosovës takim me temën “Arsimi i komuniteteve jo shumicë në Republikën e Kosovës”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në takimin e organizuar nga zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilia Rexhepi, morën pjesë përfaqësues politikë, kryetarë të komunave, përfaqësues të institucioneve shtetërore, rektorë të universiteteve, profesorë, arsimtarë dhe autorë të librave.
Zëvëndëskryeministrja Rexhepi tha se takimi u shërben studentëve të komuniteteve jo shumicë në Kosovë, në mënyrë që të kenë shkollim adekuat kudo që ata janë.
Rexhepi tha se njëra nga veprimet e Qeverisë së fundmi ka qenë që autorët e librave në gjuhët turke dhe boshnjake, të paguhen njëjtë sikurse ata në gjuhën shqipe.
“Ajo çfarë është me rëndësi për mua dhe është edhe angazhim imi personal, është që t’u sigurohet studentëve tanë, boshnjakë, turq dhe të gjithë të tjerëve që studiojnë jashtë territorit të Kosovës nga 100 euro në muaj, sepse ata deri më tani nuk i kanë marrë”, theksoi Rexhepi.
Ajo gjithashtu tha se si Qeveri e kanë mirëpritur hapjen e degës së Ballkanistikës, ku mësohet gjuha serbe në Universitetin e Prishtinës, gjë që sipas zv/kryeministres e tregon se shoqëria kosovare është e hapur.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, në fjalën e tij, ka bërë të ditur se një vendim shumë të rëndësishëm për komunitetet e ka marrë së fundmi MAPL dhe Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).
“Është një program për mbështetjen e të rinjve dhe të rejave nga radhët e komuniteteve me fokus të veçantë te komuniteti egjiptian, rom dhe ashkali që të regjistrohen këtë vit në fakultetet e edukimit në të gjitha universitetet publike, të kenë një bursë për herë të parë mbështetëse nga MASHT-i dhe MAPL-ja”, theksoi Krasniqi.
Sipas Krasniqit, mbështetja ka ardhur pasi që nga mbi 2.200 mësimdhënës në Kosovë, vetëm 20 prej tyre janë nga komuniteti egjiptian, rom dhe ashkali.
Ministri Krasniqi tha se do të përkujdesen më shumë tani e tutje që kuotat e rezervuara për komunitetet në universitetet publike të shfrytëzohen drejt dhe në rast të ndonjë keqpërdorimi të mos ketë tolerime.