Muhammed Yasin Güngör
28 shtator 2026•Përditësim: 28 shtator 2026
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka hedhur poshtë pretendimet se gjatë samitit të fundit dypalësh me presidentin kinez, Xi Jinping, kishte propozuar shitjen e pajisjeve ushtarake amerikane Kinës, transmeton Anadolu.
“Nuk kam dëgjuar kurrë për diçka të tillë”, u tha Trump gazetarëve kur u pyet lidhur me këtë çështje, të ngritur dje nga ambasadori amerikan në Kinë, David Perdue.
“Ne nuk e diskutuam këtë. Ai mund të ketë qenë duke folur për Tajvanin”, tha ai.
Duke theksuar se Pekini me shumë gjasë do të dëshironte të blinte pajisje amerikane të mbrojtjes, pasi SHBA-ja prodhon sisteme më të avancuara, Trump këmbënguli se kjo temë nuk ishte ngritur gjatë takimit.
Trump tha se Kina “ndoshta do të donte t’i blinte, sepse ne prodhojmë pajisje më të mira”, duke e cilësuar këtë si një “ide të mirë”.
Perdue i tha transmetuesit amerikan Fox News se Trump shpesh u thotë homologëve të tij se SHBA-ja shet pajisje mbrojtëse në mbarë botën dhe se në një moment madje e kishte pyetur presidentin kinez nëse Pekini do të dëshironte të blinte armë amerikane.
Më pas, një zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit i tha gazetës South China Morning Post se ligji federal ndalon shitjet e pajisjeve të mbrojtjes ndaj Kinës dhe se SHBA-ja nuk ka asnjë plan apo ofertë për t’i furnizuar Pekinit armë.
SHBA-ja më parë i ka shitur armë Kinës. Gjatë periudhës së bashkëpunimit më të ngushtë strategjik SHBA-Kinë kundër Bashkimit Sovjetik në vitet 1980, SHBA-ja e furnizoi Pekinin me pajisje ushtarake, përfshirë radarë kundër artilerisë AN/TPQ-37 dhe silurë Mark-46.