Agim Sulaj
18 korrik 2024•Përditësim: 19 korrik 2024
Është hapur në sheshin "George Bush" në Prishtinë panairi "Gratë në Biznes", në të cilin po marrin pjesë biznese dhe shoqata të grave ndërmarrëse nga komunitete të ndryshme në Kosovë, raporton Anadolu.
Nën organizimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në këtë panair u vendosën produkte të ndryshme të bizneseve të udhëhequra nga gratë.
Veshje kombëtare, ushqime tradicionale, instrumente muzikore, punime artizanale të bëra nga duart e grave, zunë vend në sheshin e Prishtinës në kuadër të panairit.
Ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari, e cila e hapi zyrtarisht panairin, tha se qëllimi i Qeverisë së Kosovës është që të rritet sa më shumë pjesëmarrja e grave në biznese "gjë për të cilën ekzekutivi edhe e ka lehtësuar këtë rrugë".
"Tani kemi lehtësuar regjistrimin e bizneseve për gratë duke u ndihmuar atyre me grante në artizanate. Tani për tani MINT ka lansuar grant-skemën për artizanatet, për punëdoret e juaja të cilat sot po i ekspozoni", tha ministrja Hajdari duke shtuar se janë afër gjysmë-milionë euro për gratë që do të aplikojnë për grante.
Mejreme Gashi nga Komuna e Skënderajt, po merr pjesë për herë të parë në panair derisa tregoi për Anadolu se ajo merret me shitjen e ushqimeve tradicionale.
"Ne merremi me gatimin e ushqimeve tradicionale, janë të gjitha bio. Sot kemi sjellë në panair, pite, fli, bakllava, djathë, lëng dhe të tjera. Këto i shesim edhe nga shtëpia në Skënderaj", theksoi ajo.
Përpos promovimit të bizneseve dhe shoqatave të udhëhequra nga gratë dhe produkteve që këto biznese ofrojnë në fushat e tyre përkatëse, ky panair ka për qëllim edhe inkurajimin e ndërmarrësisë dhe rrjetëzimin të gratë ndërmarrëse me qëllim të fuqizimit sa më të madh të tyre në shoqëri dhe në biznes.