Fatjon Cuka
18 korrik 2024•Përditësim: 18 korrik 2024
Në Shqipëri vazhdojnë protestat për të "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës", ndërkohë ndryshe nga protestat e kaluara nuk u shënuan tensione, raporton Anadolu.
Protesta e 17-të është organizuar me thirrjen e përfaqësuesve të partive opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) dhe Partisë së Lirisë (PL), si dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, me kërkesën për dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Gjatë protestës ishin të pranishëm dhjetëra forca të policisë, ndërkohë nuk u shënuan tensione dhe incidente.
Zv.kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe përfaqësues i opozitës, Dorjan Teliti, gjatë protestës u shpreh se protesta po sjellë rezultate dhe shtoi se do të vazhdojnë të qëndrojnë kundër korrupsionit.
"Populli i Shqipërisë dhe Tiranës amnisti për korrupsionin dhe klientelizmin nuk bën. Nuk ka dhe nuk do të ketë amnisti për askënd të cilët në bashkëpunim vjedhin të tashmen dhe të ardhmen e fëmijëve tanë", tha Teliti.
Drejtuesi politik i PD-së për Qarkun e Tiranës dhe ish-deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, në fjalën e tij gjatë protestës tha se betejën e tyre nuk do ta ndalojnë. "Kjo protestë dhe ky mision që kemi nisur është një mision historik", u shpreh Këlliçi.
Protestuesve iu drejtuan me fjalime edhe koordinatori rajonal i PD-së për Tiranën dhe ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu, sekretari i Përgjithshëm i Partisë të Lirisë dhe anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Tedi Blushi, aktivistë dhe përfaqësues të tjerë të opozitës.
Në Shqipëri janë organizuar në muajit e fundit edhe protesta për të "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës", ndërkohë protestat e kaluara janë shoqëruar me tensione dhe përplasje me forcat e policisë.
Protestat organizohen pas arrestimit në fund të muajit mars të këtij viti të disa ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për veprat penale "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "Refuzimi për deklarimin, mos deklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive".