Agim Sulaj
02 Tetor 2021•Përditësim: 02 Tetor 2021
Në bazë të marrëveshjes së arritur në Bruksel për de-përshkallëzim të situatës më 30 shtator, sot ka filluar largimi i barrikadave të vendosura nga qytetarë serbë në afërsi të dy pikave kufitare të Kosovës me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak si dhe zëvendësimi i njësisë speciale të Policisë së Kosovës me pjesëtarë të KFOR-it, raporton Anadolu Agency (AA).
Pjesëtarë të KFOR-it aktualisht janë të pranishëm në këto pika. Në fillim të barrikadave, jo larg kalimit të Jarinjës, ka ende forca speciale të Policisë së Kosovës si dhe qytetarë serbë që po qëndrojnë në grupe pranë çadrave që kanë ngritur më 20 shtator.
Situata aktuale është e qetë dhe afati për largimin e barrikadave dhe zëvendësimi i njësisë speciale policore me pjesëtarë të KFOR-it është jo më vonë se ora 16:00, sipas marrëveshjes së 30 shtatorit në Bruksel.
Nga 20 shtatori këto dy pika kufitare kanë qenë të bllokuara nga serbët lokalë, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masës së reciprocitetit me targat e përkohshme të automjeteve nga Serbia.
Pjesëtarët e KFOR-it të cilët po koordinohen me njësinë speciale policore për zëvendësimin e tyre në Jarinjë dhe Bërnjak, pritet të qëndrojnë në këto lokacione për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë.
Negociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian (BE) për Dialogun Miroslav Lajçak, ranë dakord në Bruksel që të dyja vendet të fillojnë aplikimin e regjimit të letrave ngjitëse (mbulimin e simboleve shtetërore në targa) gjatë hyrjes dhe qarkullimit tek shteti tjetër nga 4 tetori, duke e larguar përdorimin e targave të përkohshme.
Në 10 vjetët e fundit, qytetarëve të Kosovës iu është dashur të paguajnë për targat e përkohshme dhe të heqin targat e tyre “RKS” për të qarkulluar në territorin e Serbisë. Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës filloi të aplikonte të njëjtën masë për automjetet nga Serbia, duke shkaktuar reagime nga popullata serbe.
Gjithashtu, në Kosovë që nga 15 shtatori, kur skadoi marrëveshja pesëvjeçare e Brukselit, targat “KS” nuk janë më të vlefshme.
Që nga viti 2011 kur u arrit marrëveshje për lirinë e lëvizjes midis Kosovës dhe Serbisë, targat me shkurtesa të qyteteve të Kosovës të lëshuara nga Serbia nuk vlejnë në Kosovë, por ato u lejuan në veri të vendit ku shumica e popullatës i përket etnitetit serb.
Çështja e targave ngriti tensionet midis Kosovës dhe Serbisë dhe Serbia kreu manovra ushtarake pranë kufirit me Kosovën fundjavën e kaluar, ndërsa avionët ushtarak serbë fluturuan mbi zonën kufitare. Gjithashtu të dielën, persona ende të paidentifikuar i vunë zjarrin me bomba dore Qendrës për Regjistrimin e Automjeteve në Zubin Potok, ndërsa tentuan të njëjtën gjë edhe me qendrën e njëjtë në Zveçan, por bombat e dorës nuk shpërthyen.
Këto u bënë arsyeja që përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së kërkuan nga Prishtina dhe Beogradi zyrtar një marrëveshje për shtensionimin e situatës.
Gjithashtu, në Bruksel më 30 shtator, palët ranë dakord që të formohet një grup i përbashkët pune për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështje të targave, më së voni në prill të vitit të ardhshëm.
Marrëveshja u mirëprit nga zyrtarët e BE-së, SHBA-së dhe NATO-s.