Zlatan Kapic
07 shtator 2026•Përditësim: 07 shtator 2026
Krimineli i dënuar i luftës Ratko Mlladiq, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Srpska, i cili në vdiq në Hagë teksa po vuante dënimin e përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera lufte, u varros të hënën në varrezat Topçider në Beograd me nderime ushtarake, raporton Anadolu.
Ceremonia fetare u drejtua nga patriarku i Kishës Ortodokse Serbe (KOS), Porfirije, me pjesëmarrjen e disa peshkopëve të KOS-it, pas së cilës kortezhi u nis drejt varrezave Topçider në kryeqytetin e Serbisë, ku Mlladiq u varros pas fjalimeve dhe me të shtëna nderi.
Më shumë se 1.000 njerëz u mblodhën para Kishës së Shën Lukës në lagjen Vidikovac të Beogradit për t’i bërë nderimet e tyre kriminelit të luftës Mlladiq.
Mes të pranishmëve ishin edhe disa ministra serbë, lideri i koalicionit qeverisës në entitetin Republika Srpska të Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik, anëtarja e Presidencës së BeH-së nga radhët e popullit serb, Zheljka Cvijanoviq, si dhe përfaqësues të shumtë të tjerë të pushtetit dhe opozitës.
Të shtunën, në Shtëpinë e Ushtrisë së Serbisë në Beograd u mbajt ceremoni përkujtimore për kriminelin e dënuar të luftës, ish-komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Republikës Sërpska, i cili vdiq më 27 gusht në burgun e Hagës, ku po vuante dënimin e përjetshëm.
Mlladiq u dënua përfundimisht në qershor 2021 me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve, terrorizimin e popullsisë së Sarajevës dhe marrjen peng të pjesëtarëve të UNPROFOR-it.
Vdekja e tij shkaktoi reagime të shumta në Bosnjë e Hercegovinë, Serbi dhe në opinionin ndërkombëtar. Komisarja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, anuloi vizitën e planifikuar në Serbi, duke deklaruar se glorifikimi i Mlladiqit është i papajtueshëm me vlerat evropiane dhe procesin e përballjes me të kaluarën.
Më 3 shtator, Mekanizmi Rezidual Ndërkombëtar për Tribunalet Penale ua dorëzoi mbetjet mortore të Mlladiqit të afërmve të tij më të ngushtë në aeroportin Roterdam-Hagë.