BALLKANI

Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kallas: E ardhmja e Shqipërisë është në BE

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, tha se Shqipëria është vërtetë një partner i fortë i BE-së

Fatjon Cuka  | 08.04.2025 - Përdıtësım : 08.04.2025
Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kallas: E ardhmja e Shqipërisë është në BE Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, ka deklaruar se e ardhmja e Shqipërisë është në BE, raporton Anadolu.

Kallas ka zhvilluar një vizitë në Shqipëri, ndërkohë është takuar me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama.

Në konferencën e përbashkët për mediat me kryeministrin Rama në Kryeministrinë e Shqipërisë, Kallas tha se Shqipëria është vërtetë një partner i fortë i Bashkimit Evropian dhe shtoi se si një anëtar i NATO-s është në përputhje të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian.

"Vendimi juaj për të zbatuar plotësisht sanksionet e BE-së kundër Rusisë së bashku me mbështetjen tuaj humanitare politike që i keni dhënë Ukrainës tregon në fakt pikërisht përkushtimin tuaj ndaj vlerave të BE-së dhe kuptoj që nga aspekti politik kjo nuk është gjithnjë e lehtë për t'u bërë. Gjithashtu, ju jeni të vlefshëm shumë dhe të dobishëm edhe përsa i përket bashkëpunimit në rajon, në mbështetjen e autoriteteve për të pasur, në fakt edhe një mjedis të sigurt në Bosnjë dhe Hercegovinë", tha ajo, duke iu drejtuar kryeministrit Rama.

Kallas theksoi se Bashkimi Evropian është plotësisht i angazhuar sa i përket Shqipërisë dhe sipas saj bashkëpunimi sjellë të mira për të dyja palët.

"Një nga angazhimet e para që kam pasur ka qenë nënshkrimi i partneritetit BE-Shqipëri për sigurinë dhe mbrojtjen dhe sot do të shikojmë frytin e parë pasi do të lançojmë edhe dialogun e parë BE-Shqipëri për sigurinë dhe mbrojtjen. Ky është një hap vërtetë shumë i rëndësishëm pasi po e thellojmë më tej bashkëpunimin edhe në sektorin e sigurisë. Kemi dëshirë ta zgjerojmë këtë bashkëpunim në fusha të reja si për shembull për të luftuar kërcënime hibride, por edhe sa i përket sigurisë kibernetike, të luftojmë terrorizmin por edhe të merremi me menaxhimin e krizave", tha ajo.

Kryediplomatja e Bashkimit Evropian shtoi se Shqipëria ka një agjendë ambicioze për të përfunduar negociatat me BE-në në dy vitet e ardhshme. Pyetjes nëse viti 2030 është një vit i mundshëm që Shqipëria të jetë vend anëtar i Bashkimit Evropian, ajo iu përgjigj se "Po është, në rast se ne të gjithë do të ndërmarrim hapat e duhura gjatë rrugës".

"E ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian dhe unë me kënaqësi kam parë nënshkrimin e marrëveshjes 90 milionë euro me Bankën Evropiane të Investimeve për të rindërtuar hekurudhën ndërmjet Portit të Durrësit dhe Rrogozhinës si pjesë e Korridorit VIII. Ky projekt do të sjellë punë të reja, vende të reja pune, do të sjellë më shumë tregti dhe do ta lidhë edhe më shumë Shqipërinë me fqinjët e saj, por edhe me Bashkimin Evropian. Gjithashtu, do të jetë dhe një korridor i duhur ndërmjet shteteve anëtare dhe NATO-s përsa i përket mobilitetit ushtarak në Evropën Juglindore dhe kjo është shumë e rëndësishme për momentin në këtë mjedis kur flasim për sigurinë", tha Kallas.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın