Agim Sulaj
25 dhjetor 2019•Përditësim: 25 dhjetor 2019
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një adresim me video drejtuar qytetarëve në rrjetet sociale, ka treguar se pse dështuan deri tani përpjekjet për koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), transmeton Anadolu Agency (AA).
Vetëm një ditë para mbledhjes së deputetëve të legjislaturës së re të Kuvendit, e cila do të mbahet më 26 dhjetor, Kurti tha se do të shkojnë në këtë seancë pa ndonjë marrëveshje për ta bërë qeverinë e re.
“Është obligim imi moral e politik, shtetëror e kombëtar, qytetar e njerëzor, që t’ju njoftoj se në seancën inauguruese të Legjislaturës së Shtatë, do të shkojmë pa dakordimin për qeverinë. Marrëveshjes për programin qeverisës nuk kemi mundur t’ia bashkëngjesim edhe atë për ndarjen e përgjegjësive”, deklaroi Kurti.
Ai bëri të ditur se i kishte bërë një ofertë LDK-së, me të cilën po dialogojnë që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, por ajo është refuzuar dje.
Kurti përmendi disa pika të cilat dëshirojnë të mos ndryshohen nga partia pretendente për të bashkëqeverisur. Ndër to theksoi se dëshirojnë që LDK të ketë kryeparlamentarin, ndërsa VV dy nënkryetarët e Kuvendit, ndërsa çështjen e presidentit ta lënë për më vonë, por nëse në këtë gjë insiston LDK që të bëhet tani, VV-së t’i jepet Ministria e Punëve të Brendshme nga fillimi i qeverisjes.
Kurti tha se oferta e tij e parmbrëmshme që u refuzua dje, ishte koncesioni i tyre i pestë, duke thënë se “përpjekjet për koalicion me LDK-në ata i kanë nisur që nga korriku dhe gushti”.
“Në këto ditë do të dëshironim konstituimin e qeverisë së re, megjithatë, do të na duhet të presim. Pritja i kushton shtetit, shoqërisë, ekonomisë sonë, por ja që po detyrohemi të presim, meqenëse nuk dëshirojmë zgjedhje të reja. Çka dëshirojmë janë institucionet e reja dhe aty mund të arrijmë veç nëse në bisedime për formimin e qeverisë udhëhiqemi të dyja palët, nga vlerat e transparencës, e drejtësisë dhe nga ndjenja e detyrës qytetare e atdhetare”, tha Kurti.
Në fund Kurti tha se “ndryshimin e madh politik, që ju e keni prodhuar më 6 tetor, nuk do të lejojmë që të zvogëlohet apo deformohet. Ky është moment historik. LDK e ka në dorë përcaktimin për ndryshimin”, tha ai.
Në prononcimin e tij të fundit për media, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se ka propozuar që Vetëvendosja të “zotohet të japë votat për kandidatin për president të propozuar nga LDK", në mënyrë që të të heqin dorë nga njëra ministri.
"Pra, që VV të ketë 6 ministri e LDK 4. Por unë nuk kam parë një gatishmëri nga Vetëvendosja për këtë gjë”, ka thënë Mustafa.
Të dyja partitë, VV që ka dalë e para nga zgjedhjet parlamentare të jashtëzakonshme të 6 tetorit dhe LDK, kanë filluar bisedimet që kur kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga qeveria. Ndërsa pas zgjedhjeve, VV dhe LDK themeluan Grupe Punuese me anëtarë nga të dyja partitë për t’u akorduar me punët në bashkëqeverisjen e re që planifikonin.
Megjithëse takimet e Grupeve Punuese u mbyllën me sukses 100 për qind, siç ka thënë VV, përpjekja e dy partive në nivel kryetarësh për finalizimin e një marrëveshje për të bashkëqeverisur ndaloi në procesin e ndarjes së pozitave udhëheqëse.