Agim Sulaj
26 tetor 2022•Përditësim: 26 tetor 2022
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut janë takuar me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia dhe komandantin e bazës amerikane të KFOR-it Bondsteel, Christopher Samulski, me të cilët kanë diskutuar për situatën e sigurisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç thuhet në llogarinë e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq, në rrjetet sociale, ruajtja e një situate të qëndrueshme të sigurisë pas përpjekjes së Kosovës për të riregjistruar veturat nga targat serbe në ato “RKS” dhe skadimi i këtij afati më 31 tetor ishte një nga temat më të rëndësishme të diskutimit.
Takimi është mbajtur në Zveçan dhe në të komandanti i KFOR-it, Ristuccia është njoftuar për problemet me të cilat ballafaqohen serbët në Kosovë, me theks të veçantë “për ndërtimin e fundit të paligjshëm të bazave të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës".
"Për sa i përket targave, u tha se riregjistrimi i vetëm dy automjeteve në veri në këtë periudhë dërgoi një mesazh të qartë se serbët nuk do të heqin dorë nga targat që përdornin deri më tani, sepse ato janë të ligjshme dhe legjitime dhe se ekziston një shqetësim i arsyeshëm për reagimet e mëtejshme të Kosovës për këtë çështje", thuhet në deklaratë.
Zyrtarë të Listës Serbe theksuan se situata e sigurisë është e paqëndrueshme dhe se duhet bërë gjithçka që çështjet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të zgjidhen ekskluzivisht përmes dialogut.
"Ajo që është më e rëndësishmja për ne në këtë moment është se KFOR-i duhet të mbetet garantuesi i vetëm i paqes dhe stabilitetit në këtë fushë dhe ju kërkojmë të merrni të gjitha masat për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes. Provokimet dhe ngacmimet e serbëve nuk duhet të lejohen dhe ne shohim që diçka e tillë tashmë po ndodh dhe se policia e Republikës së Kosovës e bën në shumë situata pa arsye", tha Rakiq dhe kryetarët e komunave me shumicë serbe.
Qeveria e Kosovës ka hapur mundësinë nga 1 shtatori që në Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve kudo në Kosovë të mund të legalizohen veturat që ende qarkullojnë me targa ilegale si “KM”, “PZ”, “PR”, në ato legale "RKS" ndërsa me 31 tetor parashikohet që kjo mundësi të mbyllet.
Megjithë thirrjeve nga emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar si dhe Bashkimi Evropian që afati për legalizimin e targave të automjeteve të shtyhet edhe për 10 muaj, kryeministri Kurti ka ritheksuar se më 31 tetor një mundësi e tillë do të mbyllet.
Kurti ka thënë se problemi më i madh që po i shkaktohet fushatës së Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave nga ilegale në ato legale (RKS) është fushata negative me burim në Beograd por edhe aktet kriminale të dhunës ndaj disa personave që i kanë konvertuar targat në "RKS".
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se partnerët ndërkombëtarë duhet adresojnë presionin te Serbia, që sipas saj, është burim i tensioneve. Osmani ka thënë se bandat ilegale në veri nuk po i lënë serbët t'i konvertojnë targat ilegale në ato "RKS".