Fatjon Cuka
23 Mars 2021•Përditësim: 24 Mars 2021
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar aktin normativ që zgjeron mundësinë për negociata të Qeverisë së Shqipërisë me kompani të ndryshme të certifikuara për vaksinat kundër koronavirusit të ri (COVID-19), me qëllim për të nisur vaksinimin masiv të popullsisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas diskutimeve në seancën plenare, akti normativ "Për dhënien e autorizimit Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin për zhvillimin e negociatave me prodhuesit ose qeveritë e ndryshme për vaksinat anti-COVID-19" është miratuar me 95 vota pro, 4 kundër dhe 5 abstenim.
Gjatë fjalës në seancë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, miratimin e aktit në fjalë e vlerësoi si një mundësi për të filluar sa më parë vaksinimin masiv të qytetarëve.
"Akti normativ i ka hapur rrugë edhe negociatave me kompani prodhuese, me distributorë të autorizuar të vendeve të cilët kanë gjithë certifikimet e duhura, në mënyrë që ne të kemi disponibilitet në vaksina dhe të vijojmë me planin tonë të vaksinimit dhe me intensifikimin e tij, për të arritur tek vaksinimi masiv, i cili është objektivi ynë kryesor", tha Manastirliu.
Ministrja e Manastirliu theksoi se më fillimin e vaksinimit masiv, objektivi është të vaksinohen nga 10 mijë deri në 15 mijë qytetarë në ditë.
Sipas Qeverisë së Shqipërisë e cila ka miratuar aktin normativ, duke qenë se aktualisht ka mungesë të vaksinave në treg dhe furnizimi mund të marrë shumë kohë, është e nevojshme që Shqipëria të zhvillojë negociata me prodhues të ndryshëm të vaksinave.
Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, deri tani në Shqipëri kanë mbërritur mbi 90 mijë vaksina kundër COVID-19 nga kontrata me kompania Pfizer, vaksinat Astra Zeneca nga mekanizmi COVAX dhe vaksina ruse Sputnik V, donacion i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA).
Në Shqipëri aktualisht vazhdon procesi i vaksinimit për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit.