Muzeu i Postës Shqiptare pasqyron historinë e pullës postare
Muzeu i Postës Shqiptare, i konceptuar edhe në formën e një galerie, është hapur më 5 nëntor 2021 dhe pasqyron historinë e pullës postare shqiptare që nga emetimi i parë i saj, më 5 maj 1913, si dhe objekte të tjera.

Tiranë
TIRANË (AA) - FATJON CUKA - Posta Shqiptare konsiderohet si korporata e parë shqiptare e krijuar më 5 dhjetor 1912, ndërkohë që filatelia shqiptare i ka fillesat që në vitet e para të shtetit shqiptar.
Pas krijimit të shtetit të pavarur shqiptar, fillimisht vazhduan të funksionojnë edhe postat osmane, duke u përdorur edhe vulat dhe pullat e periudhës osmane, por më pas vazhdoi funksionimi i administratës postare shqiptare.
Muzeu i Postës Shqiptare, i konceptuar edhe në formën e një galerie, është hapur më 5 nëntor 2021 dhe pasqyron historinë e pullës postare shqiptare që nga emetimi i parë i saj, më 5 maj 1913, si dhe objekte të tjera.
Gjithashtu, në ambientet e këtij muzeu të vendosur në ambientet e Postës Shqiptare janë pasqyruar edhe objekte postare të përdorura ndër vite, si vula, mjetet e punës të një postieri, libra, dekorata dhe dokumente të ndryshme.
Ambientet e ekspozimit ndahen në disa periudha historike, ndërsa spikat pulla e parë e administratës së postës shqiptare dhe vulat e para të shtetit shqiptar.
Tematikat e pullës lidhen me figurat historike shqiptare, ngjarjet historike, aspektet të jetës dhe punës gjatë regjimit komunist në Shqipëri, fauna dhe flora në Shqipëri, zbulimet arkeologjike, aktivitete sportive, artizani dhe trashëgimia kulturore.
Marilda Habibi, specialiste e arkivit të pullës në Postën Shqiptare, për Anadolu tregon se në këtë muze është pasqyruar historiku i pullës shqiptare që në emetimin e parë dhe deri në ditët e sotme.
"Kjo galeri është hapur në vitin 2021 dhe u rikonceptua në formën e një muzeu. Përpara ky koleksion ka qenë pjesë e Muzeut Historik Kombëtar", thekson Habibi.
Ajo tha se do të vazhdojnë zgjerimin e koleksionit të pullave, sepse sipas saj edhe emetimi i pullave vazhdon sipas tematikave edhe në ditët e sotme
"Në ambientet e këtij muzeu janë të ekspozuara disa objekte që pasqyrojnë punën e postës shqiptare, si për shembull objektet (pajisjet) që i nevojiten një postieri, makinën e shkrimit, kemi vulat të pasqyruara sipas viteve dhe kemi edhe çmimet dhe dekoratat që ka marrë Posta Shqiptare gjatë viteve", thekson ajo.
Gjithashtu, "në dhomën e videos" vizitorët mund të shikojnë edhe dokumentarin dedikuar historisë së pullës shqiptare.
Ky muze i ri konsiderohet nga studiuesit, por edhe vizitorët, si një vend ku ekspozohen jo vetëm pullat dhe objekte postare, por edhe një arkiv i pasur me informacione mbi filatelinë.
Gjithashtu, filatelia në Shqipëri përfaqësohet edhe nga koleksionistë të cilët mes pasionit, profesionit apo edhe hulumtimeve kanë arritur të grumbullojnë dhe ruajnë pulla postare me vlera historike.