Zülfiya Yakup
02 Shtator 2019•Përditësim: 02 Shtator 2019
Një i ri i komunitetit serb në Kosovë është plagosur me thikë pas një zënke verbale dhe më pas fizike nga një person i panjohur pranë urës në Lumin Ibër në Mitrovicën e Veriut, ndërsa kryeministri në largim Ramush Haradinaj dënoi ashpër rastin, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, nënkoloneli Branisllav Radoviq, konfirmoi për AA se mbrëmë afër urës kryesore të Ibrit në Mitrovicën e Veriut, një i ri serb është goditur me thikë nga një person i panjohur.
Ai tha se ngjarja ka ndodhur dje më 1 shtator në rrugën Mbreti Pjetër, fillimisht si përleshje verbale dhe më pastaj edhe fizike midis viktimës D.B. dhe personit të panjohur.
"Përplasja vazhdoi në fillim të urës kryesore në lumin Ibër, ku me gjasë janë këmbyer fyerje, si dhe goditje me duar, dhe në një moment personi i panjohur ka nxjerrë thikën nga rripi i tij dhe ka goditur viktimën D.B. (2001) nga Mitrovica, serb i Kosovës. Më pas, i dyshuari është larguar në drejtim të Mitrovicës së Jugut", tha Radoviq.
Viktima më pas është transferuar në Qendrën Klinike Spitalore të Mitrovicës së Veriut, ku i është ofruar trajtim mjekësor.
Siç thekson Radoviq, Prokurori i Shtetit për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë është informuar për rastin, dhe ka urdhëruar të hapet lëndë për veprën penale shkaktim i lëndimeve të rënda trupore.
"Prokurori urdhëroi të merren masa hetimore dhe operative për të gjetur të dyshuarin dhe për të zbardhur rrethanat e ngjarjes" tha Radoviq.
Pas incidentit, kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, reagoi ashpër duke dënuar goditjen me thikë të të riut serb.
"Dënoj ashpër rastin e përleshjes dhe therjes së një të riu serb në urën e lumit Ibër. U bëj thirrje organeve të drejtësisë që sa më shpejt të zbardhin rastin dhe fajtorët të marrin dënimin e merituar. Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj dhe në vazhdimësi ka qenë shembull i tolerancës dhe diversitetit. Veprimet e tilla janë raste të izoluara dhe asnjëherë nuk do të cenojnë paqen dhe sigurinë në vend", ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në median sociale.