Fatjon Cuka
17 Dhjetor 2020•Përditësim: 17 Dhjetor 2020
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e dytë të vizitës së saj në Shqipëri është takuar me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, si dhe ka bërë homazh në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, raporton Anadolu Agency(AA).
Takimi Osmani-Ruçi është mbajtur në selinë e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, me fokus bisedimet mbi bashkëpunimin midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës si edhe shkëmbimin e përvojave në fushën e reformave dhe integrimit evropian.
Sipas njoftimit nga Kuvendi i Shqipërisë, Ruçi vuri në dukje se kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Kosovës.
“Kosova po përjeton periudhë zhvillimesh dramatike për të ardhmen dhe prestigjin ndërkombëtar të saj. Ne vlerësojmë qëndrimin dinjtoz të drejtuesve të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe gatishmërine e plotë të tyre për t’i dalë përballë drejtësisë dhe zbardhur të vërtetën e luftës së madhe për shpëtimin e popullit të saj nga krimet monstruoze dhe gjenocidi i Serbisë. Ne nuk duhet të lejojmë që të njolloset imazhi i Kosovës, i luftës së saj çlirimtare dhe i përpjekjeve për t’u ndërtuar, njohur e integruar si shtet i pavarur”, ka theksuar Ruçi.
Ndërkohë, sipas njoftimit nga Presidenca e Kosovës, Osmani ka kërkuar nga Ruçi që Kuvendi i Shqipërisë të marrë qëndrim për krimet e Serbisë në Kosovë.
“Duhet ndiqet shembulli i Kuvendit të Kosovës, i cili ka miratuar një rezolutë, me të cilën kërkohet dënimi i gjenocidit serb në Kosovë. Sot dialogu me Serbinë është ende i pambyllur, ne jemi të vendosur që të dialogojmë vetëm për njohjen e ndërsjellë, duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, duke e njohur dhe pranuar paprekshmërinë e territorit, rregullimin kushtetues dhe nivelin e organizimit politik”, është shprehur Osmani.
Ajo ka theksuar më tej se, "Kosova nuk mund ta shpërblejë Serbinë me territor të saj e as me koncesione të tjera, për politikën gjenocidale që Serbia kishte ndaj nesh. Serbia duhet të pendohet, të kërkojë falje e të dënohet. E jo të shpërblehet”.
Më pas, Osmani ka vizituar Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë, duke bërë homazhe dhe duke vendosur kurorë me lule në Monumentin “Nëna Shqipëri”.
Osmani do të takohet edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, si dhe do të mbajë një fjalë përshëndetëse në seancën e Kuvendit të Shqipërisë.