Dzihat Aliju
07 korrik 2026•Përditësim: 07 korrik 2026
Në Shkup u hap ekspozita "Ayasofya- Drita e Heshtjes", raporton Anadolu.
Në kuadër të Festivalit të 47-të Vera e Shkupit, me mbështetjen e Institutit Yunus Emre (YEE) në Shkup, në hanin e periudhës osmane Suli An, u mbajt ceremonia e hapjes së ekspozitës, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke dhe vendore në vend si dhe artdashës.
Drejtori i YEE-së në Shkup, Yunus Dilber, në fjalën e tij tha se në këtë ekspozitë mund të shihen të gjitha detajet dhe veçoritë arkitekturore të Ayasofyas, një prej trashëgimive më të rëndësishme kulturore në botë.
Duke rikujtuar se ekspozita është organizuar më parë në Beograd dhe Zagreb, Dilber tha: "Si Instituti 'Yunus Emre', do të vazhdojmë të prezantojmë trashëgiminë kulturore të Turqisë para botës dhe të punojmë për këtë".
Drejtorеsha e Drejtorisë për Kulturë dhe Arte të Shkupit, Vasilija Çali falënderoi për pjesëmarrjen në Festival.
"Kjo ekspozitë është realizuar në bashkëpunim me miqtë tanë të dashur nga Qendra Kulturore Turke 'Yunus Emre'. Me këtë rast, dëshiroj të falënderoj drejtorin e YEE-së dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij, si dhe të uroj që edhe në të ardhmen të kemi bashkëpunime të suksesshme", tha ajo.
Ekspozita, ku marrin pjesë fotografi të fotografëve me famë botërore Izzet Keribar dhe Mehmed Ozçay, do të jetë e hapur për artdashësit për tre ditë.
Në kuadër të ekspozitës performoi edhe grupi "Makam Trio".
Festivali i 47-të Vera e Shkupit, në kuadër të të cilit organizohen aktivitete të ndryshme, do të përfundojë më 30 korrik.