Fatjon Cuka
11 Tetor 2021•Përditësim: 12 Tetor 2021
Në Shqipëri ka filluar punimet konferenca e 8-të për median në Evropën Juglindore me temë “Gazetaria në kohë krize”, që organizohet nga Zyra e Përfaqësuesit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për Lirinë e Medias, raporton Anadolu Agency (AA).
Seanca e parë e konferencës dyditore që ka mbledhur së bashku zyrtarë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, studiues dhe ekspertë do të përqendrohet tek çështjet e dezinformimit dhe shkaqet që e krijojnë atë dhe tek roli kundërshtues që mund të luajë gazetaria në Evropën Juglindore.
I pranishëm në hapje të konferencës ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në fjalën e tij theksoi se ka një nevojë të jashtëzakonshme për integritetin e së vërtetës dhe për integritetin e vetë medias.
"Është vërtetë shumë e rëndësishme që të mbrojmë sa më shumë të jetë e mundur dhe të lejojmë sa më shumë të jetë e mundur lirinë e fjalës që të lulëzojë dhe të sigurohemi që gjithkush që ka diçka për të thënë të jetë në gjendje ta thotë. Por në të njëjtën kohë kjo nuk mjafton, na duhet po kështu të mbrojmë njerëzit", theksoi Rama.
Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Vincenzo del Monaco, në fjalën e tij përshëndetëse tha se qëllimi i konferencës është të zhvillohet një debat i hapur dhe profesional për potencialin dhe sfidat e tablosë së medias.
"Ne duam të hedhim shikimin përpara dhe, duke qenë se kjo është nismë e OSBE-së, ne duhet të mbajmë vështrimin te tabloja e gjerë. Në sytë e mi, tabloja e gjerë do të thotë të vendosësh të parët individët, të punosh për të pasur shoqëri të hapur dhe të japësh kontribut për të pasur rend ndërkombëtar të sigurt", u shpreh ambasadori i OSBE-së.
Gjithashtu në konferencë do të trajtohen temat mbi përfshirjen dhe përfaqësimin e barabartë të grave në sektorin e medias dhe sipas organizatorëve do të shërbejë si platformë për diskutimin e sfidave profesionale të kohës dhe rreziqet e posaçme për shkak të gjinisë me të cilat përballen gazetaret në rajonin e Evropës Juglindore.