Fatjon Cuka
12 Nëntor 2022•Përditësim: 13 Nëntor 2022
Në Shqipëri është mbajtur një protestë antiqeveritare, me thirrjen e partive opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) dhe Partisë së Lirisë (PL), raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas organizatorëve, protesta me moton "Shqipëria në rrezik" u organizua "kundër rritjes së çmimeve, kundër thellimit të varfërisë, kundër shpopullimit dramatik dhe kundër largimit të dhimbshëm të të rinjve".
Mijëra persona nga qytete të ndryshme të vendit kanë protestuar për disa orë në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, ndërkohë janë shënuar dhe disa incidente në fund të saj.
Ish-presidenti i Shqipërisë dhe kryetari i Partisë Lirisë, Ilir Meta, gjatë fjalës në protestë tha se fjala e qytetarëve "është ligj, është mision, e vërteta e padiskutueshme e popullit dhe e vetmja e vërtetë legjitime".
Duke iu drejtuar protestuesve, Meta tha se "Jeni ju që e mbani këtë vend në këmbë me mundin dhe sakrificat tuaja. Ju keni të drejtë t’i kërkoni llogari qeverisë dhe çdo zyre në këtë shtet për gjithçka se jeni ju që e mbani qeverinë dhe shtetin me taksat që paguani".
Në protestë mbajti fjalim edhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili theksoi se "qytetarët shqiptarë, që duan të ndërtojnë të ardhmen në këtë vend, i ftojmë të bashkohen me ne".
"Shqipëria nuk do ketë kurrë stabilitet pa votën e lirë të shqiptarëve. Stabiliteti dhe vota, stabiliteti dhe besimi, stabiliteti dhe e ardhmja, do të jenë të pandara. Ky miting madhështor i jashtëzakonshëm është sirenë e fuqishme e shpresës për çdo shqiptar", tha Berisha.
Në fund, protestuesit kanë hedhur bojë ndaj selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, si dhe kanë ndezur qirinj në shkallët e saj, ndërkohë janë shënuar edhe disa incidente mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Nga ana tjetër, Policia e Shqipërisë kishte marrë masa shtesë për protestën, duke angazhuar qindra forca policore për shmangien e incidenteve.