Agim Sulaj
30 Dhjetor 2020•Përditësim: 30 Dhjetor 2020
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar adresimin e saj publik nga kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë bashkë me trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), raporton Anadolu Agency (AA).
Komandantja supreme e FSK-së Osmani theksoi se FSK ka ngritur kapacitetet e saj, duke u përgatitur mjaft mirë për misionet e ruajtjes së paqes edhe jashtë vendit.
Osmani theksoi gatishmërinë e Kosovës që FSK të bëhet pjesë e NATO-s “si orientim strategjik i shtetit”.
“Republika e Kosovës ka sot forca të armatosura profesioniste të cilat po forcohen dita ditës në përputhje me misionin që kanë dhe me synimin tonë strategjik, atë të anëtarësimit në Aleancën Veriatlantike (NATO). Sot, forcat tona po ecin drejt një të ardhmeje të sigurt në një ambient jo aq të sigurt ndërkombëtar. Prandaj, e ritheksoj se ka ardhur koha që ushtarakët tanë të japin kontributin e tyre në misione paqeruajtëse ndërkombëtare sepse përmes përvojës së tillë do të shquhen për profesionalizmin, besueshmërinë, kontributin për paqe dhe siguri në botë dhe lojalitetin ndaj vlerave më të larta demokratike”, theksoi Osmani.
U.d. presidentja Osmani tha se FSK ka dëshmuar gatishmëri dhe profesionalizëm të lartë me ofrimin e ndihmës pas tërmetit në Shqipëri gjatë vitit të kaluar, e gjithashtu e gatshme për të ndihmuar FSK është edhe pas tërmetit që ndodhi në Kroaci së fundi.
“Së fundi në koordinim me FSK-në, në emrin tuaj dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës ua kam shprehur këtë gatishmëri edhe presidentit të vendit tonë mik, Republikës së Kroacisë që FSK-ja është e gatshme ta ndihmojë popullin kroat nëpërmjet operacioneve të kërkim-shpëtimit”, theksoi ajo.
Osmani tha se Kosova mund të ketë një ushtri të vogël në numër “por ka një zemër dhe trimëri të madhe”, duke qenë e gatshme dhe profesionale që t’i shërbejë atdheut dhe interesave shtetërore brenda dhe jashtë vendit. Ajo shtoi se ushtria e Kosovës po shndërrohet me hapa të sigurt në ushtri moderne falë bashkëpunimit me aleatët e saj.