BALLKANI

Vendet e rajonit mesazhe ngushëllimi për tragjedinë në Koçani

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe zyrtarë të tjerë kanë përcjellë mesazhet e ngushëllimit për tragjedinë në Koçani të Maqedonisë së Veriut

Fatjon Cuka  | 16.03.2025 - Përdıtësım : 16.03.2025
Vendet e rajonit mesazhe ngushëllimi për tragjedinë në Koçani Foto: Umeys Suleyman/AA

Tiranë

Zyrtarët e lartë të vendeve të rajonit kanë përcjellë mesazhet e ngushëllimit për tragjedinë në Koçani të Maqedonisë së Veriut, ku si pasojë e zjarrit në një në një diskotekë humbën jetën dhjetëra persona dhe mbi 100 të tjerë u plagosën, transmeton Anadolu.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në reagimin e publikuar në rrjetet sociale ka shkruar se shpreh ngushëllimet e sinqerta për familjarët që humbën të afërmit e tyre dhe për të gjithë popullin e Maqedonisë së Veriut.

“I tronditur nga tragjedia e ndodhur, nga humbja e jetëve të reja dhe lëndimi i shumë të tjerëve nga zjarri i rënë në një diskotekë në qytetin Koçan të Maqedonisë së Veriut. Lutjet e mia dhe të popullit shqiptar shkojnë për të lënduarit, që të gjejnë shërim të shpejtë e të mos rëndojë më shumë dhimbja në qytetin e Koçanit”, ka shkruar Begaj.

Ndërkohë, në reagimin e kryeparlametares së Shqipërisë, Elisa Spiropali, thuhet: “Pikëllues lajmi mbi tragjedinë e tmerrshme në Koçani të Maqedonisë së Veriut, ku humbën jetën disa dhjetëra vajza e djem. Në këtë të diel të trishtuar, jam pranë familjeve që humbën njerëzit e tyre të dashur. Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë.”

Në reagimin e tij në rrjetet sociale, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shkruar se i përcjell kryeministrit Hristijan Mickoski dhe autoriteteve të vendit fqinj ngushëllimet në emër të Shqipërisë e shqiptarëve, "duke shprehur gatishmërinë për çfarëdoqoftë ndihma jonë mund të jetë e nevojshme".

"Me një ndjenjë hidhërimi të veçantë u përcjell vëllezërve e motrave të Maqedonisë së Veriut ngushëllimet e mia për tragjedinë e madhe të Koçanit. Jam pa fjalë dhe lutem që të lënduarit të shërohen dhe që familjarët e viktimave të gjejnë forcën të përballojnë humbjen e tyre të pangushëllueshme", ka shkruar Rama.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në rrjetet sociale ka shkruar se humbja e shumë jetëve të moshave të reja është një tragjedi që nuk mund të përshkruhet.

"Ne shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta dhe qëndrojmë pranë familjeve të viktimave dhe gjithë popullit të Maqedonisë së Veriut në këtë kohë të vështirë", ka shkruar Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga ana e tij, tha se me pikëllim të thellë mësoi për “humbjen shkatërruese” të 51 jetëve në Koçani.

“Unë shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet që humbën më të dashurit e tyre, si dhe për liderët dhe qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë vendit në këtë kohë pikëllimi”, shkroi Kurti.

Në lidhje me tragjedinë, ka reaguar edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, e cila në rrjetet sociale është shprehur se është e pikëlluar thellësisht nga humbja tragjike e jetëve në një zjarr në Maqedoninë e Veriut. "Mendimet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre. Kosova solidarizohet", ka shkruar Gërvalla.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në mesazhin e tij të publikuar në rrjetet sociale ka shkruar se shpreh ngushëllimet më të thella për familjet e viktimave nga zjarri në diskotekën në Koçani, si dhe solidaritetin me popullin e Maqedonisë së Veriut në këto kohë të vështira.

“Mendimet tona janë me të gjithë ata që kanë humbur të dashurit e tyre dhe me ata që luftojnë për jetën e tyre. Serbia është gjithmonë e gatshme për të ofruar çdo ndihmë të nevojshme për miqtë e saj, në përputhje me mundësitë e saj”, ka shkruar Vuçiq.

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, gjithashtu ka shprehur ngushëllime për tragjedinë në Koçani, duke theksuar se në emër të qytetarëve të Malit të Zi dhe në emrin e tij personal shpreh “ngushëllimet më të thella” homologes së tij Gordana Siljanovska-Davkova dhe të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

“Të prekur në heshtje nga kjo tragjedi, ne ngushëllojmë thellësisht dhe ndajmë dhimbjen me miqtë tanë në Maqedoninë e Veriut”, tha Milatoviq.

Ndërkaq, në një reagim nga Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi thuhet se Mali i Zi qëndron në solidaritet me Maqedoninë e Veriut në këtë kohë të vështirë.

"Jemi thellësisht të pikëlluar nga zjarri tragjik në Koçani, i cili ka marrë kaq shumë jetë. Ngushëllimet tona të përzemërta për familjet e viktimave dhe popullin e Maqedonisë së Veriut. Mendimet tona janë me të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi e madhe dhe urojmë shërim të shpejtë dhe të plotë për të plagosurit", thuhet në reagimin e MPJ-së së Malit të Zi.

Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Panço Toshkovski, ka konfirmuar se të paktën 51 persona kanë humbur jetën në një diskotekë në Koçani, ku mbrëmë ka shpërthyer një zjarr gjatë një ngjarje argëtimi nga një grup muzikor.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.