Ömer Erdem
25 Dhjetor 2024•Përditësim: 25 Dhjetor 2024
GAZA (AA) - Të paktën 17 palestinezë humbën jetën në sulmet që ushtria izraelite kreu në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA raporton se 10 persona humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën si pasojë e shënjestrimit të një shtëpie nga avionët luftarakë izraelitë në zonën Maan në lindje të qytetit Khan Younis.
Ndërkohë një palestinez dhe bashkëshortja e tij humbën jetën në sulmin ndaj një apartamenti në jug të kampit të refugjatëve Nuseirat në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.
Gjithashtu një person ka humbur jetën në sulmin ajror në Deir al-Balah.
Ushtria izraelite shënjestroi civilëve në veri dhe jug të Rripit të Gazës.
Sipas deklaratave të dëshmitarëve, ushtria izraelite shënjestroi me mjete ajrore pa pilot (dronë) një grup qytetarësh në Jabalia al-Nazla në veri të Rripit të Gazës.
Në sulm humbën jetën 2 palestinezë dhe janë plagosur disa të tjerë. Po ashtu 2 palestinezë humbën jetën në sulmin ku ushtria izraelite shënjestroi me dronë civilëve në Khan Younis në jug të Rripit të Gazës.
Mësohet se janë gjetur trupat e pajetë të 4 personave për të cilët supozohet se kanë humbur jetën gjatë sulmit të kryer dje nga Izraeli në jug të qytezës Beit Hanoun.
Në sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 janë vrarë 45.338 palestinezë, përfshirë 17.492 fëmijë dhe 11.979 gra ndërsa 107.764 persona të tjerë u plagosën.
Nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile duke synuar spitalet dhe institucionet arsimore ku janë strehuar njerëzit.