Elif Gültekin Karahacıoğlu
18 Mars 2025•Përditësim: 18 Mars 2025
Dy astronautë që kanë mbetur të bllokuar në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) për gati nëntë muaj, u larguan nga stacioni për t'u kthyer në Tokë me kapsulën Dragon të SpaceX, transmeton Anadolu.
Administrata Kombëtare e Aeronautikës dhe Hapësirës e SHBA-së, transmetoi drejtpërdrejt largimin nga ISS me kapsulën Dragon të Butch Wilmore dhe Suni Williams, të cilët ishin bllokuar në hapësirë për muaj të tërë.
Në udhëtimin e kthimit, i cili llogaritet të zgjasë rreth 17 orë, Wilmore dhe Williams shoqërohen nga astronauti i NASA-s Nick Hague dhe kozmonauti rus Alexander Gorbunov.
Pas nëntë muajsh në hapësirë, kapsula që do të sjellë në shtëpi dy astronautët pritet të zbarkojë në brigjet e Floridës në mbrëmje nëse kushtet e motit janë të favorshme. Williams dhe Wilmore u dërguan në ISS për një fluturim testues njëjavor me kapsulën e re Starliner të Boeing më 5 qershor 2024.
Por, për shkak të një problemi teknik në Starliner, data e kthimit të dy astronautëve u shty dhe NASA udhëzoi kapsulën të kthehej bosh. Ekuipazhi i ri që do të zëvendësojë Wilmore dhe Williams, të cilët mbetën të bllokuar në ISS për rreth 9 muaj, mbërriti në ISS më 16 mars me kapsulën Dragon të Space X.
Ekipi Crew-10, i përbërë nga anëtarë që vijnë nga SHBA-ja, Japonia dhe Rusia ka marrë trajnime rreth ISS nga Wilmore dhe Williams për disa ditë.
Në ekipin e Crew-10 krahas komandantes së misionit Anne McClain dhe pilotes së misionit Nichole Ayers nga NASA, përfshihen edhe Takuya Onishi nga Agjencia Japoneze e Eksplorimit të Hapësirës Ajrore (JAXA) dhe Kirill Peskov nga Agjencia Federale Ruse e Hapësirës (Roscosmos).