Islam Uddin
28 janar 2021•Përditësim: 28 janar 2021
Australia ka zgjatur për 72 orë të tjera pezullimin e udhëtimit pa masën e karantinës 14-ditore për udhëtarët që vijnë nga Zelanda e Re, transmeton Anadolu Agency (AA).
Vendimi vjen pas dy rasteve të tjera të zbuluara të llojit të virusit COVID-19, për herë të parë të paraqitura në Afrikën e Jugut që së fundmi u konfirmuan edhe në Zelandën e Re.
Ministri i Shëndetësisë, Greg Hunt, në një njoftim tha se qeveria federale ka pranuar rekomandimin e Komitetit Australian të Mbrojtjes së Shëndetit dhe të ushtruesit të detyrës së shefit mjekësor.
Ndalimi i përkohshëm fillimisht u vendos më 25 janar ndërsa zgjatja e këtij vendimi nënkupton se udhëtarët nga Zelanda e Re që hyjnë në Australi deri të paktën më 31 janar do të duhet të vetë-karantinohet për një periudhë kohore 14-ditore.
Administrata e Mallrave Terapeutike e Australisë ka miratuar vaksinën kundër koronavirusit të kompanive Pfizer/BioNTech dhe planifikon të nis vaksinimin muajin tjetër. Imunizimi do të fillojë me të moshuarit dhe personave me aftësi të kufizuara si dhe punonjësit e vijës së frontit.
Qeveria po ashtu ka iniciuar një fushatë të informacionit publik prej 23.9 milionë dollarësh për të inkurajuar australianët që të marrin vaksinën kundër COVID-19.
Deri më tani Australia ka raportuar 28.786 raste të koronavirusit dhe 909 vdekje.