Bukuritë e Kapadokyas shtrihen edhe në orët e natës
“Po ua afrojmë vizitorëve tanë trashëgiminë unike natyrore dhe kulturore të Kapadokyas edhe në orët e natës", tha ministri turk i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy.
Yasemin Kalyoncuoğlu
12 korrik 2026•Përditësim: 12 korrik 2026
photo: Min e Kult dhe Turizm e Turqisë / AA
ANKARA
Ministri turk i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy, njoftoi se me projektet e reja të ndriçimit të realizuara në Muzeun e Hapur të Goremes, Muzeun e Hapur të Zelves në Kapadokya, formacionet karakteristike shkëmbore të rajonit janë bërë të dukshme edhe gjatë natës përmes një koncepti estetik dhe të kontrolluar ndriçimi, raporton Anadolu.
“Po ua afrojmë vizitorëve tanë trashëgiminë unike natyrore dhe kulturore të Kapadokyas edhe në orët e natës. Me projektet e reja të ndriçimit që kemi realizuar në Muzeun e Hapur të Goremes, Vendin Arkeologjik të Paşabaglarıt, Muzeun e Hapur të Zelves dhe Luginën Erdemli, i kemi bërë të dukshme edhe gjatë natës formacionet karakteristike shkëmbore të rajonit me një koncept estetik dhe të kontrolluar ndriçimi", tha Ersoy.
Ministri Ersoy theksoi se me këto punime, të bazuara në efikasitetin energjetik, qëndrueshmërinë mjedisore, uljen e ndotjes nga drita, mbrojtjen e jetës natyrore dhe ruajtjen e identitetit autentik të trashëgimisë kulturore, është forcuar më tej vizioni i muzeologjisë së natës, duke e bërë Kapadokyan të eksplorueshme në mënyrë të sigurt dhe komode edhe pas perëndimit të diellit.
Ministri Ersoy falënderoi të gjithë ata që kontribuan në realizimin e punimeve.
- Epokë e re e ndriçimit në katër pika të rëndësishme
Sipas njoftimit të ministrisë, në kuadër të punimeve të zhvilluara nga Drejtoria e Zonës së Kapadokyas, janë përdorur gjithsej 692 ndriçues: 214 në Muzeun e Hapur të Goremes, 238 në Vendin Arkeologjik të Paşabaglarıt, 135 në Muzeun e Hapur të Zelves dhe 105 në Luginën Erdemli.
Punimet nisën fillimisht me vënien në funksion të sistemeve të ndriçimit në Muzeun e Hapur të Goremes dhe më pas u shtrinë në zonat e tjera.
Foto : Min e Kult dhe Turizm e Turqisë/AA
Në këto projekte, që përbëjnë një nga hallkat e rëndësishme të vizionit të muzeologjisë së natës të zhvilluar nga ministria vitet e fundit, u ruajt karakteri natyror i strukturës shkëmbore, duke u bazuar në efikasitetin energjetik dhe duke minimizuar ndotjen nga drita.
Projekti, i cili mbron jetën natyrore dhe identitetin autentik të trashëgimisë kulturore, u ofron vizitorëve mundësinë të përjetojnë Kapadokyan në mënyrë të sigurt dhe komode edhe pas perëndimit të diellit.
Përmes sistemit të ndriçimit dhe projeksionit të instaluar në kuadër të projekteve, trashëgimia historike dhe natyrore e Kapadokyas u prezantua para vizitorëve me një rrëfim të ri.
Kështu, pasuritë e paluajtshme kulturore dhe struktura natyrore e rajonit u mbështetën me aplikime digjitale, duke ofruar një përvojë të veçantë edhe gjatë orëve të natës.
Bukuritë e Kapadokyas shtrihen edhe në orët e natës