Ruslan Rehimov
09 mars 2023•Përditësim: 10 mars 2023
Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit tha se ushtria armene ka hapur zjarre ndaj pozicioneve azerbajxhanase dhe se qeveria e Jerevanit po përpiqet të krijojë tensione artificiale në rajon, transmeton Anadolu.
Ministria bën të ditur se ushtria armene dhe forcat e jashtëligjshme armene kanë hapur 23 herë zjarr drejt pozicioneve azerbajxhanase në kufirin Azerbajxhan-Armeni dhe në rajonin e Karabakut prej orëve të vona mbrëmë deri në mëngjesin e sotëm.
Ministria potencon se ushtria azerbajxhanase u është kundërpërgjigjur zjarreve.
"Forcat e armatosura armene po provokojnë ushtrinë tonë që të kundërpërgjigjet duke hapur zjarr sistematikisht në pozicionet tona dhe duke u përpjekur të krijojë një opinion të rremë midis përfaqësuesve të misionit civil të Bashkimit Evropian (BE) që vepron në kufi, me ç'rast përpiqet të krijojë tensione artificiale në rajon", thuhet në njoftim.
"Edhe një herë theksojmë se përgjegjësia mbi provokimet që mund të ndodhin nga pala armene dhe humbjet njerëzore si pasojë e kësaj, është e qeverisë së Jerevanit", theksohet mes tjerash.