Ruslan Rehimov
19 Dhjetor 2024•Përditësim: 20 Dhjetor 2024
Ministria e Punëve të Jashtme e Azerbajxhanit njoftoi se Azerbajxhani është bërë anëtar i Organizatës së Tetë Vendeve në Zhvillim (D-8), transmeton Anadolu.
Në deklaratën e ministrisë thuhet se Azerbajxhani është pranuar unanimisht si anëtar i kësaj organizate në Takimin e 11-të të Samitit të Organizatës D-8 të mbajtur në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro.
"D-8 është zgjeruar duke pranuar anëtarë të rinj për herë të parë që nga themelimi i saj. Anëtarësimi në D-8 i quajtur 'Teta Islame' që përbën 60 për qind të muslimanëve në botë dhe ka potencial të madh ekonomik, është shembull i qartë i ndikimit në rritje të Azerbajxhanit në botën ndërkombëtare dhe i besimit në këtë vend", thuhet në deklaratë.
Më tej theksohet se Azerbajxhani do të luajë rol të rëndësishëm në mbrojtjen e parimeve bazë të D-8 dhe thellimin e bashkëpunimit në kuadër të organizatës.
"Krijimi i sigurisë, stabilitetit, prosperitetit dhe bashkëpunimit reciprok të dobishëm në rajonin tonë, ka rëndësi të madhe për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, transportin, komunikimin dhe shumë aspekte të tjera të rëndësishme. Anëtarësimi në D-8 i Azerbajxhanit, i cili vepron si një urë lidhëse midis Lindjes dhe Perëndimit dhe është një nga qendrat kryesore të kulturës, fesë dhe qytetërimit në botën islame, do të japë kontribut të madh për forcimin e solidaritetit islam, promovimin e vlerave islame në botë dhe në luftën me anti-islamizmin", thuhet në deklaratë.
- Organizata e Tetë Vendeve në Zhvillim (D-8)
Organizata D-8 u krijua në Istanbul më 15 qershor të vitit 1997. Sekretariati i organizatës, ku krahas Türkiyes janë anëtarë edhe Bangladeshi, Egjipti, Indonezia, Irani, Malajzia, Nigeria dhe Pakistani ndodhet në Istanbul.
Popullsia totale e vendeve të D-8, të cilat të gjitha janë gjithashtu anëtarë të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) është afër 1.2 miliardë dhe vëllimi i përgjithshëm i tregtisë së jashtme është 2.3 trilionë dollarë, që korrespondon me afërsisht 5 për qind të totalit të tregtisë globale.
Qëllimi kryesor i D-8 është përmirësimi i pozitës së vendeve në zhvillim në ekonominë botërore, diversifikimin e marrëdhënieve të tyre tregtare, krijimin e mundësive të reja për vendet anëtare në fushën e tregtisë dhe sigurimin e pjesëmarrjes së tyre të fuqishme në mekanizmat vendimmarrës në nivel ndërkombëtar.
D-8 bazohet në parimet e paqes në vend të konfliktit, dialogut në vend të sfidës, bashkëpunimit në vend të shfrytëzimit, drejtësisë në vend të standardeve të dyfishta, barazisë në vend të diskriminimit dhe demokracisë në vend të shtypjes.
Fushat kryesore të aktivitetit të D-8 janë tregtia, bujqësia dhe siguria ushqimore, industria, energjia, transporti dhe lidhja ndërsa vazhdohen punimet për fushat e shëndetësisë dhe turizmit.