Hasan Esen
29 Tetor 2017•Përditësim: 30 Tetor 2017
BARCELONË (AA) - Qindra mijëra njerëz të cilët dëshirojnë që qeveria autonome e Katalonjës të mbetet pjesë e Spanjës kanë organizuar një protestë masive në Barcelonë, dy ditë pas shpalljes së pavarësisë së njëanshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Protestuesit kundër pavarësisë që mbanin në duar flamuj të Spanjës, Katalonjës dhe Bashkimit Evropian (BE) nisën fillimisht të mblidhen në Bulevardin "Passeig de Gracia". Në protestën e mbajtur nga organizatat e shoqërisë civile katalanase kundër pavarësisë morën pjesë edhe ministrja e Shëndetësisë e Qeverisë qendrore të Spanjës, Dolors Montserrat, liderë të partive kundër pavarësisë dhe zyrtarë të tjerë.
"Puigdemont në burg"
Protestuesit kanë mbajtur pankarta me mbishkrimet "Rroftë Spanja" dhe "Të gjithë jemi Katalonjë", si dhe kanë brohoritur me sloganet "Nuk do të lejojmë përçarjen e Spanjës", ndërsa kundër liderit separatist Carles Puigdemont kanë reaguar me sloganin "Puigdemont në burg."
Alex Ramos, përfaqësuesi i organizatave të shoqërisë civile katalanase në një deklaratë ka vënë në dukje se "Tashmë shumica e katalanasve nuk janë më të heshtur dhe ndodhemi këtu për të treguar se nuk do të qëndrojnë të heshtur."
Ndërsa një tjetër përfaqësuese e shoqërisë civile katalanase, Miriam Tey, ka njoftuar se në protestë kanë marrë pjesë më shumë se 1 milion persona. Ndërkohë policia numrin e pjesëmarrësve e ka njoftuar 300 mijë.
Pavarësisht shpalljes së njëanshme të pavarësisë, mbështetësit e ndarjes nuk pritet të mbajnë një protestë. Ka tërhequr vëmendjen se përpara ndërtesës së qeverisë autonome të Katalonjës ishin të pranishëm një numër i pakët të mbështetësve të pavarësisë.