Dildar Baykan
13 Mars 2020•Përditësim: 14 Mars 2020
Pas vetëkarantinimit, ka rezultuar pozitive ndaj koronavirusit Sophie Gregoire Trudeau, bashkëshortja e kryeministrit të Kanadasë, Justin Trudeau, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga Zyra e kryeministrit të Kanadasë, thuhet se testi për Covid-19 i Sophie Gregoire Trudeau ka rezultuar pozitiv dhe se situata e saj shëndetësore është e mirë dhe janë marrë masat e nevojshme.
"Kryeministri Justin Trudeau është mirë me shëndet dhe nuk ka shenja të sëmundjes. Do të qëndroj në karantinë për 14 ditë. Sipas sugjerimit të mjekëve, nuk do të aplikohet testi për kryeministrin i cili në këtë fazë nuk tregon simptome", thuhet në deklaratën e Zyrës së kryeministrit.
Më tej theksohet se aktualisht nuk ekziston asnjë rrezik për njerëzit që kontaktojnë me Justin Trudeau.
- Trump telefonon kryeministrin Trudeau
Presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin kanadez, Trudeau.
Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë, dy liderët biseduan lidhur me zhvillimet e fundit për Covid-19 dhe masat që do të merren kundër virusit. Në bisedë nënvizohet se janë diskutuar edhe çështjet tjera të rëndësishme.
Në një deklaratë mbrëmë nga Zyra e kryeministrit të Kanadasë, u njoftua se çifti Trudeau ishte vetëkarantinuar për shkak të dyshimit për Covid-19.