Şerife Çetin
20 Mars 2018•Përditësim: 20 Mars 2018
BRUKSEL (AA) - Numri i aplikimeve për azil në vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) në vitin 2017 ka rënë me rreth 50 për qind krahasuar me një vit më parë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Të dhënat e Zyrës së Statistikave Evropiane (Eurostat) tregojnë se në vitin 2017 numri i azilkërkuesve në vendet e Unionit ishte 650 mijë ndërkohë që në vitin 2016 në BE janë parashtruar 1 milion e 206 mijë e 500 kërkesa për azil.
Eurostat ka njoftuar se numri i aplikimeve për azil i vitit të kaluar mund të krahasohet me numrat përpara krizës së azilit në vitin 2015.
Më tej thuhet se sirianët, irakianët dhe afganët përbëjnë shumicën e kërkesave për azil me rreth 30 për qind të numrit të përgjithshëm të aplikimeve. Në vitin 2017, numri i sirianëve që kërkuan azil në vendet e BE-së arriti në 102 mijë e 400 ndërsa numri i irakianëve ishte 47 mijë e 500 dhe i afganëve 43 mijë e 600.
Shumica e kërkesave ishin në Gjermani
Bëhet e ditur se në vitin 2017 në Gjermani janë parashtruar 31 për qind e aplikimeve për azil. Përderisa në Gjermani kanë aplikuar për azil 198 mijë e 300 persona, pas saj vjen Italia me 126 mijë e 600 aplikime, e ndjekur nga Franca, Greqia, Britania e Madhe dhe Spanja.
Vendet ku janë regjistruar më pak aplikime për azil janë Sllovakia, Polonia, Portugalia, Çekia dhe Estonia.