Ömer Tuğrul Çam
09 Dhjetor 2021•Përditësim: 10 Dhjetor 2021
Bashkimi Evropian (BE) theksoi se Irani duhet të sigurojë përparim të shpejtë në raundin e shtatë të bisedimeve mbi programin bërthamor që do të mbahen në Vjenë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell dhe ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir-Abdollahian, zhvilluan një bisedë telefonike përpara bisedimeve që do të vazhdojnë sot në Vjenë.
Borrell, nga llogaria e tij në median sociale ka dhënë informacion lidhur me bisedën e kryer me kërkesën e palës iraniane. "Duhet të përparojmë më shpejt në negociata për të rivendosur marrëveshjen bërthamore", është shprehur Borrell, i cili i ka përcjellë ministrit Abdollahian nevojën për "emergjencë".
Bisedimet, në të cilat u diskutua për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bërthamore të Iranit dhe kthimin e SHBA-së në marrëveshje, rifilluan më 29 nëntor pas ndërprerjes prej rreth 5 muajsh dhe u pezulluan më 3 dhjetor.
Bisedimet e zhvilluara në Vjenë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të nivelit të lartë nga Rusia, Kina, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Irani nën kryesimin e zv.sekretarit të përgjithshëm dhe drejtorit politik të Shërbimit të Marrëdhënieve të Jashtme të BE-së, Enrique Mora, u ndërprenë pasi palët nuk mundën të arrijnë një dakordim.
Pala evropiane mbron idenë e saj se delegacioni iranian ka bërë ndryshime gjithëpërfshirëse në tekstin e projekt-marrëveshjes së dakorduar në negociatat e mëparshme si dhe akuzon Iranin për paraqitjen e një "qëndrimi të ngurtë" në bisedime. Ndërsa ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir-Abdollahian, mbron idenë se propozimet për zgjidhje janë në përputhje me marrëveshjen bërthamore.