Servet Günerigök
08 qershor 2023•Përditësim: 09 qershor 2023
Presidenti i SHBA Joe Biden dhe kryeministri kanadez Justin Trudeau diskutuan zjarret e vazhdueshme në Kanada dhe ndikimin e tyre në SHBA, raporton Anadolu.
Biden ofroi "mbështetje shtesë për t'iu përgjigjur zjarreve shkatërruese dhe historike në Kanada. Presidenti ka urdhëruar ekipin e tij të vendosë të gjitha mjetet e disponueshme federale të zjarrfikësve që mund të ndihmojnë me shpejtësi në shuarjen e zjarreve që prekin komunitetet kanadeze dhe amerikane", thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.
Më herët gjatë ditës, zëdhënësja Karine Jean-Pierre tha se SHBA ka vendosur më shumë se 600 zjarrfikës dhe ekipe mbështetëse, si dhe mjete të tjera zjarrfikëse për t'iu përgjigjur zjarreve.
"Të dy liderët diskutuan gjithashtu bashkëpunimin e vazhdueshëm për të parandaluar zjarret dhe për të adresuar ndikimet shëndetësore që këto zjarre kanë në komunitetet tona. Ata ranë dakord të qëndrojnë në kontakt të ngushtë për nevojat tjera", thuhet në deklaratë.
Zyra e Trudeau në deklaratën e saj tha se ai dhe Biden diskutuan situatën aktuale të zjarreve dhe ndikimin që rezulton në cilësinë e ajrit në Kanada dhe në verilindje të SHBA-së.
"Kryeministri Trudeau falënderoi Presidentin Biden për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kanadanë për të ndihmuar në luftimin e zjarreve dhe të dy liderët pranuan nevojën e bashkëpunimit për të adresuar ndikimet shkatërruese të ndryshimeve klimatike", thuhet në deklaratë.
"Kryeministri Trudeau theksoi se ky kontribut është një shembull tjetër i bashkëpunimit dhe miqësisë së gjatë të dy vendeve tona. Dy liderët ranë dakord të qëndrojnë në kontakt të ngushtë dhe të rregullt", njoftoi zyra e Trudeau.
Më shumë se 400 zjarre aktive në Kanada kanë shkaktuar tym që ngrihen në të gjithë pjesën verilindore të SHBA-së, duke e bërë New Yorkun qytetin me ndotjen më të madhe të ajrit në mbarë botën dhe duke krijuar një mjegull mbi kryeqytetin e vendit. Më shumë se gjysma e zjarreve, 239 prej tyre janë jashtë kontrollit, sipas autoriteteve kanadeze.
Dhjetëra miliona njerëz në SHBA këshillohen që të kenë kujdes për cilësinë e ajrit.