Kemal Zorlak
01 janar 2016•Përditësim: 02 janar 2016
LONDËR/PARIS/NJU JORK (AA) - Një numër i sulmeve terroriste që goditën botën në vitin 2015, ishte shkaku që shumë vende të botës në vitin e ri 2016 të hynë nën hijen e terrorizmit, raporton Anadolu Agency (AA).
Frika nga sulme të reja terroriste ishte e pranishme edhe gjatë festimit të mbrëmshëm, për shkak të së cilës në shumë qytete evropiane festimet u organizuan me masa të rrepta sigurie.
Britania e Madhe në vitin 2016, hyri me fishekzjarre spektakolare në kryeqytetin e saj Londër, ku ishin angazhuar rreth tre mijë policë.
Fishekzjarre spektakolare përpara parlamentit britanik, rreth lumit Temza, këtë vit u ndoq nga më shumë se 100 mijë njerëz. Spektakli zgjati 11 minuta e 15 sekonda. Në ato momente shpërthyen 12 mijë pajisje të ndryshme piroteknike.
- Franca angazhoi 100 mijë policë -
Duke patur parasysh se kryeqyteti i Francës në nëntorin e vitit të kaluar ishte objektiv i disa sulmeve terroriste, për sigurimin e festimeve të Vitit të Ri në Paris janë angazhuar 11 mijë policë.
Në mbarë Francën mbrëmë u mobilizuan 100 mijë policë, kurse në Paris, ku ishte organizuar festimi, u ndalua alkooli në periudhën nga ora 20:00 deri në 06:00.
Masat e larta të sigurisë gjatë vitit të ri nuk kanë munguar as në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin, ku u mblodhën rreth 100 mijë njerëz, kurse kërcënimet për sulme terroriste gjatë natës së ndërrimit të motmoteve shkaktuan panik në kryeqendrën gjermane.
Policia disa orë më parë kishte bllokuar trafikun në rrugët jo shumë larg nga vendi ku u organizuar pritja. Numri i policëve në raport me vitin e kaluar ka qenë shumë më i lartë.
- Një milion njerëz në sheshin Times në Nju Jork -
Rreth një milion njerëz me muzikë dhe duke u argëtuar në Nju Jork pritën Vitin e Ri me fishekzjarre në qiell të hapur në sheshin Times. Masat e përforcuara të sigurisë kanë mundësuar festime të sigurta.
Në periudhën e kaluar raportimet e shpeshta për sulme në prag të vitit të ri, si dhe sulmet terroriste në shtetin e Kalifornisë të SHBA, por edhe sulmet terroriste në Paris, kërkonin një vigjilencë dhe masa të larta të sigurisë në mbarë botën.
Të gjithë turistët dhe njujorkezët të cilët përfundimin e 2015-ën, preferuan ta festojnë në sheshin e famshëm, janë kontrolluar tërësisht, kurse për sigurinë ishin angazhuar edhe qentë e policisë si dhe detektivët e Byrosë Federale të Hetimeve (FBI).