İlayda Çakırtekin
24 nëntor 2026•Përditësim: 24 nëntor 2026
Danimarka ka njoftuar se telefonat celularë do të ndalohen në shkolla në mbarë vendin, duke filluar nga viti shkollor 2027-2028, transmeton Anadolu.
Ministria e Arsimit njoftoi se marrëveshja, e arritur ndërmjet qeverisë, Aleancës Kuq e Gjelbër dhe Partisë Alternativa, do të përfshijë arsimin fillor, vitet pasuese deri në përfundim të klasës së 10-të, si dhe aktivitetet pas mësimit.
Sipas marrëveshjes, telefonat celularë dhe pajisjet e tjera elektronike personale me qasje në internet do të ndalohen gjatë orëve të mësimit dhe pushimeve në shkollat publike, shkollat e pavarura, shkollat ndërkombëtare komunale, shkollat për të rinj dhe shkollat e vazhdimit të arsimit.
Kufizimet do të zbatohen edhe në institucionet që ofrojnë aktivitete pas mësimit, përfshirë programet e kohës së lirë pranë shkollave dhe klubet rinore, për fëmijët dhe të rinjtë deri në klasën e 10-të.
"Fëmijët duhet të kenë mundësi të shkojnë në shkollë pa u shpërqendruar vazhdimisht nga, për shembull, rrjetet sociale, blerjet online dhe lojërat. Ata duhet të jenë në gjendje të përqendrohen në mësime, t'i kushtohen plotësisht një detyre dhe të kalojnë kohë me shokët e klasës", tha ministri i Arsimit, Magnus Heunicke.
Përveç ndalimit të telefonave celularë, marrëveshja parasheh vendosjen e detyrueshme të filtrave të përmbajtjes në rrjetet e shkollave, me qëllim bllokimin e faqeve të internetit që konsiderohen se nuk kanë rëndësi arsimore ose pedagogjike.
Filtrat do të kufizojnë qasjen në rrjetet sociale, faqet e lojërave dhe ato të blerjeve online gjatë orëve të mësimit.
Qeveria planifikon ta paraqesë propozimin ligjor gjatë sesionit të ardhshëm parlamentar, ndërsa ndalimi i telefonave celularë pritet të hyjë në fuqi me fillimin e vitit shkollor 2027-2028.